Në vijim paraqiten në mënyrë kronologjike disa nga zhvillimet kryesore në  krijimin dhe konsolidimin institucional të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

  • Në maj të vitit 2000, Parlamenti Shqiptar, bazuar në rekomandimin e Komitetit MONEYVAL të Këshillit të Evropës, miratoi Ligjin nr. 8610 datë 17.05.2000 “Për parandalimin e pastrimit të parave”;
  • Në gusht të vitit 2001, u krijua Drejtoria e Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave (DBLKPP), në Ministrinë e Financave;
  • Në korrik të vitit 2003, DBLKPP bëhet anëtare me të drejta të plota në Grupin Egmont, të Njësive të Inteligjencës Financiare;
  • Në gusht të vitit 2005, Drejtoria e Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave ngrihet në nivelin e Drejtorisë së Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave (DPPPP), në Ministrinë e Financave;
  • Në nëntor të vitit 2006, u miratuan ligjet nr. 9641, datë 20.11.2006, “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës “Për Parandalimin e Terrorizmit” dhe nr. 9646,datë 27.11.2006 “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës “Për pastrimin, kërkimin, kapjen dhe konfiskimin e produkteve të krimit dhe të financimit të terrorizmit”;
  • Në shtator të vitit 2007 filloi projekti i binjakëzimit me Zyrën Kriminale Federale të Gjermanisë (BKA), i cili kishte si objektiv forcimin e kapaciteteve të DPPPP dhe një sërë institucionesh të tjera të përfshira në parandalimin dhe goditjen e pastrimit të produkteve të veprës penale dhe financimit të terrorizmit. Ky projekt i mundësia në kuadrin e asistencës bujare të Delegacionit të BE në Tiranë;
  • Në maj të vitit 2008, Parlamenti Shqiptar miratoi Ligjin nr. 9917, datë 19.05.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i cili hyri në fuqi në shtator të po atij viti. Më anë të këtij ligji synohej përafrimi i legjislacionit Shqiptar me rekomandimet ndërkombëtarë të FATF;
  • Në shtator të vitit 2009 përfundon projekti i binjakëzimit me Zyrën Kriminale Federale të Gjermanisë;
  • Në tetor të vitit 2009, me Vendimin nr. 1077, datë 27.10.2009, të Këshillit të Ministrave, u miratua Dokumenti Strategjik Kombëtar “Për hetimin e krimit financiar”, në hartimin e të cilit DPPPP kishte rol drejtues;
  • Në nëntor të vitit 2010 filloi raundi i IV i procesit të vlerësimit të vendit nga Komiteti Moneyval i Këshillit të Evropës, në të cilin DPPPP ka luajtur një rol të spikatur koordinues me të gjitha institucionet vendase;
  • Në prill 2011, Komiteti MONEYVAL i KiE miratoi raportin e raundit të 4-t për Shqipërinë, ku pasqyrohet vlerësimi në rritje për Rekomandimin 26 të FATF dhe që lidhet drejtpërdrejt me veprimtarinë e DPPPP si Njësi e Inteligjencës Financiare;
  • Në maj 2011 filloi projekti i binjakëzimit më autoritetet Spanjolle në funksion të forcimit të kapaciteteve institucionale të institucioneve të përfshira në parandalimin dhe goditjen e pastrimit të produkteve të veprës penale dhe financimit të terrorizmit, në të cilin DPPPP ishte institucion përfitues. Ky projekt i mundësia në kuadrin e asistencës bujare të Delegacionit të BE në Tiranë;
  • Në tetor 2012, përfundoi dhe iu paraqit Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave, dokumenti “Për vlerësimin kombëtar të riskut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”;
  • Në maj 2013 përfundoi projekti i binjakëzimit më autoritetet Spanjolle;
  • Në muajin tetor 2013, Parlamenti Shqiptar, miratoi ligjin Nr.157/2013 “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, më të cilin sigurohej një përafrim më i mirë me rekomandimet ndërkombëtare të FATF në funksion të zbatimit të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara;
  • Në maj 2015, Shqipëria përmbylli procesin e realizimit të rekomandimeve të FATF dhe hiqet nga lista publike e vendeve me mangësi në fushën e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. DPPPP ka luajtur një rol aktiv në përmbushjen e rekomandimeve të bëra në këtë proces dhe koordinimin e punës me institucionet e përfshira (Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë);
  • Në qershor 2015, përfundoi rishikimi i vlerësimit kombëtar të riskut për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, në të cilin është përfshirë kontributi i institucioneve shtetërore dhe sektorit privat;
  • Në shtator 2015, Komiteti Moneyval i KiE mori në shqyrtim progresin e bërë nga vendi ynë në drejtim të rekomandimeve të raundit të IV të vlerësimit dhe bazuar në masat e ndërmarra nga autoritetet, vendosi ndërprerjen e procedurës së mbikëqyrjes së përforcuar;
  • Në nëntor 2016, me Vendim të Këshillit të Ministrave u miratua me procedurë të brendshme shpallja e listës së personave si terroristë;
  • Në prill 2017 Parlamenti Shqiptar në kuadër të reformës në drejtësi, miratoi ligjin nr. 44/2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917/2008, Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit”
  • Në prill 2017 bazuar në urdhrin nr.46 të Kryeministrit “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave” dhe në funksion të forcimit të kapaciteteve të institucionit është realizuar një rritje me 11 punonjës, e personelit të DPPPP;
  • Në tetor 2017, ne kuadër të procesit për raundin e V-të të vlerësimit të Shqipërisë, u zhvillua vizita në vend e ekspertëve vlerësues të Komitetit të Moneyval të KiE;
  • Në korrik 2018, Komiteti Moneyval miratoi raportin e raundit të  V, të vlerësimit të Shqipërisë për zbatimin e rekomandimeve ndërkombëtare të FATF;
  • Në shtator 2018,  Komiteti për Bashkërendimin e Luftës Kundër Pastrimit të Parave (KBLKPP), nën drejtimin e Kryeministrit ka miratuar planin e veprimit në kuadër të raportit të Moneyval duke caktuar për çdo masë afate dhe institucione përgjegjëse.

Në tetor 2018, ka filluar puna për hartimin e ndryshimeve në legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;