Misioni ynë është mbrojtja e interesave të vendit nga krimi financiar dhe financimi i terrorizmit dhe të kontribuojmë në stabilitetin, integritetin, rritjen dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar në Shqipëri dhe të ekonomisë në përgjithësi, nëpërmjet zbulimit dhe goditjes së veprimtarive kriminale me anë të programeve tona rregullatore dhe të inteligjencës financiare.

Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) funksionon si Drejtori e Përgjithshme në varësi të Ministrit përgjegjës për Financat dhe ushtron funksionet e autoritetit përgjegjës në përputhje me ligjin nr. 9917/2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” i ndryshuar.

 

Në zbatim të këtij ligji Agjencia e Inteligjencës Financiare, është një njësi e llojit administrativ e cila brenda fushës së veprimtarisë së vet ka të drejtë të trajtojë çështje për pastrimin e mundshëm të parave dhe financimin e veprimtarive të mundshme terroriste.

 

Funksionet dhe detyrat e Agjencia e Inteligjencës Financiare janë të përcaktuara në nenin 22 “Detyrat dhe funksionet e autoritetit përgjegjës” ligji nr. 9917/2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” i ndryshuar, ku ndër të tjera përcaktohet, si vijon:

Agjencia e Inteligjencës Financiare, si njësi e inteligjencës financiare në zbatim të këtij ligji ka këto detyra dhe funksione:

  • mbledh, administron, përpunon, analizon dhe shpërndan tek autoritetet kompetente të dhëna, raporte dhe informacione për çështjet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
  • ka akses të drejtpërdrejtë pa pagesë në sistemet e teknologjisë së informacionit apo bazat e të dhënave dhe në çdo informacion të administruar nga institucionet publike apo pranë subjekteve private me pronar shtetin apo të dhëna nga shteti në favor të subjekteve private në bazë të një kontrate, si dhe në çdo lloj regjistri publik;
  • mbikëqyr përputhshmërinë e veprimtarisë së subjekteve me kërkesat e akteve ligjore dhe nënligjore për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, përfshirë inspektimet në vend dhe në distancë, vetëm ose në bashkëpunim me autoritetet mbikëqyrëse;
  • shkëmben informacion me çdo agjenci të huaj homologe, në varësi të detyrimeve të ngjashme të konfidencialitetit. Informacioni i ofruar duhet të përdoret vetëm për qëllime të parandalimit dhe luftës kundër pastrimit të parave e financimit të terrorizmit. Informacioni mund të shpërndahet vetëm me pëlqimin paraprak të palëve;
  • shkëmben informacion me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Prokurorinë e Posaçme, Policinë e Shtetit, Byronë Kombëtare të Hetimit, Shërbimin Informativ të Shtetit dhe autoritetet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit apo të inteligjencës, për çështjet e pastrimit të produkteve të veprës penale, veprat penale ose veprimtaritë kriminale që gjenerojnë produkte të veprës penale, financimit të terrorizmit, si dhe mund të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi dy ose shumëpalëshe me to;
  • mban statistika të plota dhe raporton për procedimet penale të regjistruara për veprat penale të pastrimit të produkteve të veprave penale ose veprimtarisë kriminale dhe financimit të terrorizmit, si dhe për mënyrën e përfundimit të tyre;
  • kryesisht, mbi bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave, apo për rastet e kërkuara nga Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar, organizma të tjerë ndërkombëtarë, nga të cilët lindin detyrime për Republikën e Shqipërisë, nxjerr listë të vendeve për kufizimin dhe/ose kontrollin e transaksioneve apo marrëdhënieve të biznesit të subjekteve, proporcionalisht me rreziqet e evidentuara, vendime këto të detyrueshme për zbatim nga subjektet dhe autoritetet shtetërore që kanë detyrime sipas këtij ligji;
  • urdhëron, kur ka arsye të bazuara në fakte dhe rrethana konkrete për pastrim parash dhe financim terrorizmi, bllokimin ose ngrirjen e përkohshme të transaksionit ose të veprimit financiar, për një periudhë jo më shumë se 72 orë. Brenda këtij afati, në qoftë se vëren elemente të veprës penale, autoriteti përgjegjës dërgon informacion në prokurori, duke dorëzuar edhe një kopje të urdhrit pezullimin e përkohshëm të transaksionit, ose për ngrirjen e llogarisë, sipas kësaj dispozite, si dhe të gjithë dokumentacionin përkatës;
  • mban dhe administron të gjitha të dhënat dhe dokumentacionin tjetër ligjor për 10 vjet nga data e marrjes së informacionit;
  • organizon dhe merr pjesë, së bashku me institucionet publike dhe private, në veprimtaritë trajnuese, për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit, si dhe organizon ose merr pjesë në programe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut;
  • njofton autoritetin përkatës mbikëqyrës, kur vëren se një subjekt nuk i përmbush detyrimet e përcaktuara në këtë ligj;
  • publikon brenda tremujorit të parë të çdo viti, raportin publik vjetor për vitin pararendës për veprimtarinë e autoritetit përgjegjës. Raporti duhet të përfshijë edhe statistika të hollësishme për origjinën e raporteve të marra dhe rezultatet e rasteve të parashtruara në prokurori;
  • urdhëron, kur ka arsye të bazuara për pastrim parash dhe financim terrorizmi, monitorimin, gjatë një periudhe të caktuar të veprimeve bankare që janë duke u kryer përmes një ose më shumë llogarish të përcaktuara;
  • rishikon periodikisht efektivitetin dhe frytshmërinë e sistemit vendas për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit përmes statistikave, vlerësimit të rrezikut dhe informacioneve të tjera të disponueshme;
  • ushtron çdo detyrë tjetër që i jepet me ligj.

 

Për më shumë informacion konsulto ligjin https://fiu.gov.al/wp-content/uploads/2023/08/Ligj_9917_p%C3%ABrdit%C3%ABsuar_2023.pdf