Struktura e Agjencisë së Inteligjencës Financiare

Bazuar në Ligjin nr 62/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9917 datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i ndryshuar”, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave emërtohet Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF).

Në zbatim të Ligjit 62/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9917 datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i ndryshuar”, janë në proces, miratimi i akteve nënligjore të lidhura me mënyrën e organizimit, strukturimit dhe funksionimit të AIF.

Bazuar në urdhërin nr.111 dt.30.08.2019, të Kryeministrit “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave”, i ndryshuar, DPPPP përbëhet nga Drejtoria Juridike dhe Marrëdhënieve me Jashtë, Drejtoria e Analizës Strategjike dhe Transaksioneve të Dyshimta dhe Drejtoria e Analizës së Përputhshmërisë dhe Teknologjisë së Informacionit. Ndryshimi i strukturës është shoqëruar me rritje të stafit në 45 punonjës.

Ndryshimet strukturore synojnë që të sigurojnë një zbatim efektiv të detyrimeve që DPPPP ka në përmbushjen e objektivave strategjik të qeverisë Shqiptare si dhe rekomandimeve ndërkombëtare në fushën e parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të armëve të shkatërrimit në masë.

Në kuadrin e analizimit të informacionit orientimi i DPPPP përveç analizës operacionale do të përqëndrohet dhe në analizën taktike dhe strategjike të informacionit. Në këtë kontekst një rëndësi të veçantë ka vlerësimi i riskut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në shkallë vendi, cili përbën një dokument të rëndësishëm për vendimmarrjen në nivel politik dhe teknik.

Përputhshmëria e subjekteve të ligjit nr.9917 dt.19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i ndryshuar, si dhe konsolidimi i mëtejshëm i ruajtjes së administrimit të informacionit përbëjnë gjithashtu një nga drejtimet kryesore të punës së DPPPP për realizimin e të cilit do të vijojë mbështetja në përvojën e krijuar për këtë qëllim në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Harmonizimi i legjislacionit me Acquis Communautaire dhe konsolidimi i bashkëpunimit me njësitë partnere të inteligjencës financiare do të vijojnë të jenë premisa bazë për të siguruar përmbushjen nga DPPPP të detyrimeve në mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit për çështjet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit tek autoritetet kompetente.