Agjencia e Inteligjencës Financiare

Takimi koordinues me përfaqësues të Delegacionit të BE, projektit EU4LEA2 dhe GIZ

Në datë 28.05.2024, në ambientet e Agjencisë të Inteligjencës Financiare (AIF) u mbajt një takim koordinues me përfaqësues të Delegacionit të BE në Shqipëri, përfaqësuesve të projektit EU4LEA2 dhe Agjencisë të Mbështetjes të Qeverisë Gjermane në Shqipëri – GIZ, me synim vendosjen e fushave të bashkëpunimit dhe asistencës në kuadër të këtij projekti.

Projekti EU4LEA2 është një projekt asistence teknike i financuar nga BE që synon mbështetjen e institucioneve të ndryshme në Shqipëri, përfshirë AIF, me synim rritjen e performancës së institucioneve, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të evropiane.

Drejtori i Përgjithshëm i AIF në hapje të këtij takimit shprehu falënderimet e përzemërta për bashkëpunimin dhe ndihmën shumë të frytshme dhe efektive që AIF ka përfituar në vite në kuadër të projekteve të financuar nga BE, nga GIZ si dhe në kuadër të fazës së parë të zbatimit të projektit EU4LEA.

Në vijim, AIF prezantoi në mënyrë të detajuar nevojat për mbështetje, duke synuar fusha kryesore që ndihmojnë në analizimin e rasteve të dyshimta për pastrim parash, investime në sistemet hardware si dhe trajnime në fusha të veçanta me interes, për rritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve të AIF.

Përfaqësuesit e Delegacionit të BE dhe projektit EU4LEA2 treguan interes për nevojat e paraqitura nga AIF si dhe konfirmuan synimet që ka projekti  EU4LEA2, për mbështetje të institucioneve me fokus të veçantë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Më avancimin e fazave të projektit palët do të koordinohen mes tyre, në mënyrë që ndihma e ofruar të rrisë më tej kapacitetet institucionale të AIF.

Drejtori i Përgjithshëm në përfundim të këtij takimi shprehu mirënjohjen për partnerët ndërkombëtarë për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme për te asistuar Agjencinë e Inteligjencës Financiare.