Në datën 18 Qershor 2025, Agjencia e Inteligjencës Financiare organizoi një takim koordinues me partnerët ndërkombëtarë mbi Planet e Veprimit të “Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit 2024-2030” dhe “Vlerësimit Kombëtar të Riskut” me synim koordinimin e ndihmës dhe mbështetjes për zbatimin e masave të këtyre dokumenteve strategjike.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga: Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Këshilli i Evropës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasada Britanike, Ambasada Zviceriane, Ambasada Italiane, Ambasada Gjermane, Ambasada Franceze, GIZ, Projekti EU4LEA2, Financial Services Volunter Corps (FSVC) si dhe European Movement Albania (EMA).
Në fjalën hyrëse, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Z. Ervin Koçi, shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë në angazhimin e Shqipërisë për forcimin e sistemit kombëtar për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (PP/FT), duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë me institucionet anëtare të Grupit Teknik Ndërinstitucional të Punës (GTNP), si nga sektori publik ashtu edhe ai privat, si aktor kyç për zbatimin efektiv të masave të Strategjisë Kombëtare si dhe Vlerësimit Kombëtar të Riskut në fushën PP/FT.
Me theks të veçantë u evidentua roli thelbësor në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për përmirësimin e kapaciteteve dhe rritjen e qëndrueshmërisë institucionale.
Gjatë takimit, u pasqyruan të dhënat mbi rezultatet e masave të ofruara dhe të realizuara mbi Planin e Veprimit nga sektori privat dhe publik falë mbështetjes së ofruar përmes asistencës teknike dhe ndërhyrjet e planifikuara në funksion të prioriteteve të dokumenteve strategjike si më sipër.
Partnerët ndërkombëtarë vlerësuan angazhimin, transparencën dhe efektivitetin e deritanishëm të procesit, duke rikonfirmuar gatishmërinë e tyre për vijimin e mbështetjes.