Agjencia e Inteligjencës Financiare

Takim me Shoqatën Mikrofinanca Shqiptare mbi edukimin financiar

Në datë 26.02.2025 Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) organizoi një takim me Shoqatën Mikrofinanca Shqiptare mbi “Strategjinë e edukimit dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi rrezikun e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (PP/FT)”.

Ky takim u organizua në ambientet e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare me pjesëmarrjen e rreth 20 anëtarëve.

Përfaqësuesit e AIF në këtë takim vunë theksin në rëndësinë që ka forcimi i partneritetit publik privat në luftën e përbashkët të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (PP/FT) me qëllim goditjen e këtyre fenomeneve që ndikojnë negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit.

Gjatë takimit, diskutimi gjithashtu u përqendrua rreth forcimit të bashkëpunimit dhe roli shumë i rëndësishëm që ka sektori privat në kontributin dhe bashkëpunimin në kuadër të  Grupit Teknik Ndërinstitucional të Punës (GTNP). Gjatë punës së tyre anëtarët e shoqatës duhet të kenë në vëmendje edukimin e klientëve për çështjet e PP/FT si dhe rrezikun që mbart ky fenomen, marrjen e masave te vigjilencës së zgjeruar për klientët PEP, jo rezidentë si dhe transaksionet me vlera të larta, të kenë vëmendje të shtuar për raportimin e rasteve të dyshimta.

Në takim u theksua që AIF mbetet në dispozicion për organizimin e trajnimeve dhe do të vlerësonte bashkëpunimin me Shoqatën e Mikrofinancës Shqiptare për masat parandaluese që duhet të merren nga ky sektor gjatë veprimtarisë së tyre të përditshme.

Në përfundim, pjesëmarrësit falënderuan dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të rritur bashkëpunimin në mënyrë që vendi të ketë rezultate sa më të mira ne luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.