Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF), përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm Z. Ervin Koçi dhe Dhoma Kombëtare e Noterëve (DHKN), përfaqësuar nga Kryetari Znj. Mimoza Sadushaj, nënshkruan në datë 07.05.2024, Marrëveshjen e bashkëpunimit “Për mënyrën e Raportimit të Transaksioneve të Parasë Fizike nga Noterët dhe dhënien e të drejtës së konsultimit të akteve në sistemin NISA të Dhomës Kombëtare te Noterëve”.
Nëpërmjet kësaj marrëveshje bashkëpunimi synohet standardizimi i formës së raportimit të transaksioneve në para fizike (RTPF) nga “Noterët” në përputhje me detyrimet ligjore të ligjit 9917/2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i ndryshuar, si dhe dhënien e të drejtës së aksesit të AIF për të konsultuar aktet noteriale që raportohen në sistemin NISA, sistem që administrohet nga DHKN.
Falë kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi, Raportimi i Transaksioneve me Para Fizike (RTPF) nga Noterët do të realizohet tashmë nëpërmjet sistemit elektronik NISA drejt sistemit elektronik pritës të Agjencisë të Inteligjencës Financiare, duke vijuar kështu në linjë me zhvillimet e reja teknologjike dhe të ndërveprimit në fushën dixhitale, si dhe në rritjen e efikasitetit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën e përbashkët të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Drejtori i Përgjithshëm i AIF, gjatë lidhjes së marrëveshjes së bashkëpunimit ndër të tjera, theksoi se në ushtrim të kompetencave të autoritetit përgjegjës një fokus të veçantë i kushtohet rritjes së bashkëpunimit dhe efikasitetit të partneritetit me sektorin privat, në këtë rast me subjektet raportues “Noter”. Në këtë kuadër vlen të evidentohet se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi, mundësuar falë zhvillimeve të proceseve teknologjike dhe për t’iu përgjigjur në kohë reale sfidave në fushën e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, AIF e dimensionon këtë bashkëpunim në linjë me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Drejtori i Përgjithshëm i AIF shprehu falënderimet dhe vlerësimin për punën profesionale të stafit të DHKN dhe për zbatimin në kohë dhe me cilësi të proceseve të ndërveprimit në kuadër të kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi.