Agjencia e Inteligjencës Financiare

Zhvillohet mbledhja përmbyllëse e Komitetit Drejtues të projektit “Action against Economic Crime in Albania” (2023–2026)

U zhvillua në Tiranë mbledhja e pestë dhe përfundimtare e Komitetit Drejtues të projektit “Action against Economic Crime in Albania”, në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, “Horizontal Facility for the Western Balkans and Türkiye”.

Gjatë takimit u prezantuan rezultatet e arritura gjatë periudhës 2023–2026, me fokus forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e kuadrit ligjor në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Projekti ka kontribuar në përafrimin e kuadrit ligjor shqiptar me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, përmes mbështetjes së reformave ligjore, përfshirë hartimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit. Gjithashtu, ka mbështetur përmirësimin e 28 akteve ligjore dhe dokumenteve të politikave, si dhe forcimin e njohurive dhe kapaciteteve operacionale të 887 profesionistëve nga institucionet përkatëse.

Këto rezultate përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e mekanizmave institucionalë, përmbushjen e standardeve evropiane dhe avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

AIF shpreh mirënjohjen për Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe për të gjithë partnerët institucionalë të përfshirë në këtë nismë.