Agjencia e Inteligjencës Financiare

Tryezë Diskutimi mbi Strategjinë për Edukimin e Publikut kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit

Në datë 21 maj, Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) në bashkëpunim me Lëvizjen Evropiane në Shqipëri (EMA) dhe me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTIT) zhvilluan një tryezë diskutimi mbi “Strategjinë e edukimit të publikut mbi rrezikun që mbart në shoqërinë tonë pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit 2025–2027”  duke u përqendruar në rolin që duhet të luajnë jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe shoqëria civile, institucionet arsimore, media dhe sektori privat.

Drejtori i Përgjithshëm i AIF, Z. Ervin Koçi, theksoi që lufta kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit është një betejë jo vetëm nga institucioneve shtetërore, por e të gjithë shoqërisë. Pa përfshirjen e universiteteve, medias, shoqërisë civile dhe sektorit privat, çdo përpjekje mbetet e pamjaftueshme. Në këtë kuadër ndërgjegjësimi publik nëpërmjet mjeteve të ndryshme të komunikimit, aktiviteteve publike dhe bashkëpunimit të ngushtë me sektorin privat, universitetet dhe aktorët e shoqërisë civile, luan një rol të rëndësishëm në këtë proces.

Gledis Gjipali, Drejtor ekzekutiv i EMA solli në vëmendje se me afrimin dhe intensifikimin e procesit të integrimit, është rritur përgjegjësia e institucioneve për të kryer punën – por kërkohet më shumë përfshirje nga të gjithë aktorët e tjerë gjithashtu. Sipas tij, vetëm nëpërmjet informimit dhe aktivizimit të aktorëve të ndryshëm mund të arrihet një ndërgjegjësim i vërtetë mbi efektet dhe pasojat e reformave në kuadër të integrimit, të cilat do të kenë kosto për të gjithë.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Z. Nikolin Jaka, foli për standardet që biznesi shqiptar duhet të arrijë, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, në mënyrë që të krijohet një ekonomi efikase, e qëndrueshme dhe konkurruese. Ai vlerësoi se ka ardhur koha që biznesi të ndërgjegjësohet, të bëhet më proaktiv dhe të investojë më shumë si në burimet njerëzore ashtu edhe në teknologji, për të mundësuar parandalimin e pastrimit të parave dhe për të kontribuar realisht në luftën kundër këtij fenomeni.

Drejtori i Përputhshmërisë pranë  AIF, Z. Agim Muslia, prezantoi objektivat, grupet e synuara dhe aktivitetet e Strategjisë për Edukimin e Publikut kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit . Një vëmendje të posaçme iú kushtua rëndësisë që ka edukimi i shoqërisë mbi efektet negative që sjell pastrimi i parave për ekonominë, biznesin, shoqërinë dhe sigurinë e vendit. Shoqëria duhet të jetë e informuar, jo vetëm në nivel institucional, por edhe duke përfshirë të gjithë aktorët dhe grupet e interesit të sektorit privat për parandalimin dhe bashkërendimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Eksperti sllovak në fushën e parandalimit të pastrimit të parave Z. Andrej Leontiev, ndau praktika të Bashkimit Europian, ku aktorë jo shtetërorë si gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile kanë luajtur një rol të rëndësishëm në hartimin e Direktivës së 6shtë për luftën kundër pastrimit të parave. Ai theksoi se aktorët jopublikë të quajtur “gatekeepers” mund të luajnë një  rol kyç në këtë proces. Me shumë interes u prit nga të pranishmit prezantimi i rasteve lidhur me krahasimin e të dhënave me regjistrat e pronarëve përfitues dhe sinjalizimit të rasteve të dyshimta. Z. Leontiev theksoi se për ta bërë këtë të mundur, duhet që institucionet publike të jenë bashkëpunuese dhe të ofrojnë informacionin e nevojshëm, ndërsa sektori privat të jetë vetë i motivuar për t’u përfshirë në masa dhe politika kundër pastrimit të parave.

Në kuadër të zbatimit të planit të veprimit “Strategjisë të edukimit të publikut mbi rrezikun që mbart në shoqërinë tonë pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit 2025–2027”  AIF do të vijojë me aktivitetet të tjera ndërgjegjësuese.