Në datat 11-12 Mars, u zhvillua trajnimi dy ditor nga dy përfaqësues të Sekretariatit te Komitetit Moneyval në kuadër të raundit të 6të të vlerësimit të Shqipërisë.
Në këtë trajnim morën pjesë rreth 120 pjesëmarrës anëtarë të Grupit Teknik Ndërinstitucional të Punës, përfaqësues të institucioneve publike, përfshirë institucionet ligj zbatuese dhe ato mbikëqyrëse, si dhe përfaqësues të sektorit privat.
Gjatë këtij trajnimi, në ditën e parë, pjesëmarrësit patën mundësi të ndjekin prezantimet e trajnerëve që lidhen me procedurat dhe afatet e vlerësimit të raundit të 6të, si dhe ndryshimet kryesore të standardeve dhe Metodologjisë së FATF (standardet kundër pastrimit të parave që shërbejnë si bazë për vlerësimin e shteteve në nivel global).
Gjithashtu, përfaqësues të sektorit publik si Agjencia e Inteligjencës Financiare, Qendra Kombëtare e Biznesit, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare paraqitën për trajnerët prezantime të sektorëve respektivë si: vlerësimi i riskut, transparenca e të dhënave të pronarëve përfitues, mbikëqyrja e institucioneve financiare dhe ofruesve të shërbimeve të mjeteve virtuale, në përfundim të të cilave morën këshilla dhe sugjerime të vlefshme për raportimin e mëtejshëm gjatë procesit të vlerësimit por dhe për të realizuar ndërhyrjet e nevojshme përmirësuese të sistemit parandalues.
Në ditën e dytë të trajnimit, u realizuan intervista simuluese nga ana e përfaqësuesve të Sekretariatit me autoritetet shqiptare, në kuadër të çështjeve që përfshijnë procedimet penale për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale, mbikëqyrjen dhe kontrollin e lidhjeve kriminale të profesioneve të lira jo financiare (DNFPB), si dhe mekanizmat dhe mbikëqyrjen e implementimin e sanksioneve financiare për personat dhe entitetet e shpallur.
Në përfundim, u vlerësua pjesëmarrja dhe angazhimi i institucioneve shqiptare nga përfaqësuesit e Sekretariatit në këtë trajnim, si dhe u shpreh mirënjohje nga ana e autoriteteve shqiptare për Sekretariatin për mundësimin e këtij trajnimi që shërben për rritjen e njohurive dhe kapaciteteve profesionale të institucioneve shqiptare në kuadër të raundit të 6të të vlerësimit.