Në datën 05 Shkurt 2021, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), mori pjesë në trajnimin e organizuar nga Instituti e Kontabilistëve të Miratuar (IKM).
Në këtë trajnim, DPPPP bëri një prezantim të çështjeve që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit (PPP/FT), rolin e drejtorisë si njësi e inteligjencës financiare në Republikën e Shqipërisë, bazën ligjore në fushën e PPP/FT, rekomandimet ndërkombëtare të Grupit të Posaçëm Financiar (FATF), udhëzuesit për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare dhe rezolutave 1267 dhe 1373 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për ngrirjen pa vonesë të fondeve dhe pasurive të personave të shpallur si terrorist apo financues të terrorizmit, vlerësimi i riskut PP/FT nga subjektet dhe rolin që vlerësimi kombëtar i riskut ka për këtë proces si dhe një sërë tipologjish dhe treguesish që shërbejnë për të orientuar masat parandaluese të subjekteve.
Ky aktivitet, organizohet në vazhdën e bashkëpunimit të ngushtë, që DPPPP ka me shoqatat e subjekteve të ligjit, të cilat shërbejnë për konsolidimin e mëtejshëm të subjekteve dhe forcimin e kapaciteteve të sistemit parandalues në vend dhe u mundësua në sajë të përdorimit efektiv të platformave virtuale të komunikimit, si një mjet efikas në kushtet e distancimit social të diktuara nga Covid19.
Gjatë këtij trajnimi, është trajtuar në mënyrë të veçantë zbatimi nga subjektet të detyrimeve ligjore të përcaktuara në ligjet nr.157/2013 “Për masat kundër financimit të terrorizmit” i ndryshuar dhe nr.9917/2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” i ndryshuar.
Gjatë këtij trajnimi, përfaqësuesi i DPPPP ju përgjigj dhe pyetjeve konkrete të pjesëmarrësve, të cilat kishin të bënin me zbatimin praktik të kontrollit të vazhdueshëm të listave të personave të shpallur, vlerësimin e riskut, regjistrimin në modulin e raportimit të DPPPP në funksion të përditësimit me listat e klientëve ndaj të cilëve zbatohen masat e vigjilencës së zgjeruar, krijimi dhe funksionimi i sistemit të centralizuar për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave dhe transaksioneve, zbatimi i masave të vigjilencës së duhur, raportimi në DPPPP i transaksioneve me para në dorë dhe aktivitetit të dyshimtë për pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit etj.