Më datë 07.12.2021, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave organizoi në qytetin e Korçës, një seancë trajnimi me temë: “Mbi zbatimin e legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dhe sanksionet ndërkombëtare”, në të cilin merrnin pjesë noterë të qyteteve të Korçës, Pogradecit, Ersekës dhe Devollit. Në këtë aktivitet, janë trajtuar në mënyrë të veçantë zbatimi sanksioneve ndërkombëtare, të bazuara në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB për personat e shpallur si financues të terrorizmit, detyrimet ligjore të përcaktuara në ligjet nr.157/2013 “Për masat kundër financimit të terrorizmit” i ndryshuar, ligjit 72/2019 “Për masat shtrënguese ndërkombëtare”, si dhe detyrimet për raportim që subjektet kanë në përputhje me ligjin nr.9917 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” i ndryshuar, roli i pashmangshëm dhe unik që noterët kanë në Shqipëri. Në këtë seancë u prezantuan gjithashtu tipologji në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit si dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, që lidhen me shitblerjen e pasurive të paluejtshme.
Gjatë këtij trajnimi, Drejtori i Përgjithshëm dhe ekspertët e DPPPP ju përgjigjen dhe pyetjeve konkrete të përfaqësuesve të subjekteve, të cilat kishin të bënin me zbatimin praktik të kontrollit të vazhdueshëm të listave të personave të shpallur nga OKB, vlerësimin e riskut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, regjistrimin në modulin e raportimit të DPPPP në funksion të përditësimit të listave të klientëve ndaj të cilëve zbatohen masat e vigjilencës së zgjeruar, krijimi dhe funksionimi i sistemit të centralizuar për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave dhe transaksioneve, zbatimi i masave të vigjilencës së duhur dhe asaj te zgjeruar, raportimi i transaksioneve me para në dorë, aktivitetit të dyshimtë për pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit dhe kujdesi në mbikëqyrjen llogarisë në të cilin kryhen veprime në emër të klientit.