Në datat 17 dhe 18.11.2021 Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave organizoi në qytetin e Durrësit, dy seanca trajnimi me temë: “Mbi zbatimin e legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dhe sanksionet ndërkombëtare”, në të cilin merrnin pjesë noterë të qytetit të Durrësit dhe Kavajës. Në këtë aktivitet, janë trajtuar në mënyrë të veçantë zbatimi sanksioneve ndërkombëtare, të bazuara në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB për personat e shpallur si financues të terrorizmit, detyrimet ligjore të përcaktuara në ligjet nr.157/2013 “Për masat kundër financimit të terrorizmit” i ndryshuar, ligjit 72/2019 “Për masat shtrënguese ndërkombëtare”, si dhe detyrimet për raportim që subjektet kanë në përputhje me ligjin nr.9917 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” i ndryshuar, roli i pashmangshëm dhe unik që noterët kanë në Shqipëri. Në këto seanca u prezantuan gjithashtu disa tipologji në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit si dhe praktikat më të mira ndërkombëtare që lidhen me sektorin e pasurive të paluejtshme.
Gjatë këtij trajnimi, ekspertët e DPPPP ju përgjigjen pyetjeve konkrete të përfaqësuesve të subjekteve, të cilat kishin të bënin me zbatimin praktik të kontrollit të vazhdueshëm të listave të personave të shpallur, vlerësimin e riskut, regjistrimin në modulin e raportimit të DPPPP në funksion të përditësimit të listave të klientëve ndaj të cilëve zbatohen masat e vigjilencës së zgjeruar, krijimi dhe funksionimi i sistemit të centralizuar për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave dhe transaksioneve, zbatimi i masave të vigjilencës së duhur dhe asaj te zgjeruar, raportimi i transaksioneve me para në dorë dhe aktivitetit të dyshimtë për pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit etj.