Agjencia e Inteligjencës Financiare

Trajnim me subjektet e legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave

Në datën 18.06.2021, u zhvillua, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) trajnimi me temë: “Mbi zbatimin e legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave” në të cilin merrnin pjesë përfaqësues  të agjensive të pasurive të paluajtshme, studio ligjore, shoqëri ndërtimi dhe shoqëri ndërmjetësimi.

Gjatë këtij trajnimi, është trajtuar në mënyrë të veçantë zbatimi nga subjektet e ligjit të sanksioneve ndërkombëtare, të bazuara në rezolutat e Këshillit të Sigurimit për personat e shpallur si financues të terrorizmit, detyrimet ligjore të përcaktuara në ligjet nr.157/2013 “Për masat kundër financimit të terrorizmit” i ndryshuar, ligjit 72/2019 “Për masat shtrënguese ndërkombëtare” si dhe detyrimet për raportim që subjektet kanë në përputhje me ligjin nr.9917/2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” i ndryshuar.

Gjatë këtij trajnimi, ekspertët e DPPPP, ju përgjigjen dhe pyetjeve konkrete të pjesëmarrësve, të cilat kishin të bënin me zbatimin praktik të kontrollit të vazhdueshëm të listave të personave të shpallur, vlerësimin e riskut,  regjistrimin në modulin e raportimit të DPPPP në funksion të përditësimit me listat e klientëve ndaj të cilëve zbatohen masat e vigjilencës së zgjeruar, krijimi  dhe funksionimi i sistemit të centralizuar për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave dhe transaksioneve, zbatimi i masave të vigjilencës së duhur, raportimi në DPPPP i transaksioneve me para në dorë dhe aktivitetit të dyshimtë për pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit etj.