Trajnim me subjektet e legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave
Në datën 30.10.2020, u zhvillua, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) trajnimi me temë: “Mbi zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare” në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të Institutit të Komtabilistëve të Miratuar, Agjenci Imobiliare, Noter, Shoqëri Sigurimi dhe Shoqëri Transfertash.
Gjatë këtij trajnimi, është trajtuar në mënyrë të veçantë zbatimi nga subjektet e ligjit të sanksioneve ndërkombëtare, të bazuara në rezolutat e Këshillit të Sigurimit për personat e shpallur si financues të terrorizmit, detyrimet ligjore të përcaktuara në ligjet nr.157/2013 “Për masat kundër financimit të terrorizmit” i ndryshuar, ligjit 72/2019 “Për masat shtrënguese ndërkombëtare” si dhe detyrimet për raportim që subjektet kanë në përputhje me ligjin nr.9917/2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” i ndryshuar.
Gjatë këtij trajnimi, ekspertët e DPPPP ju përgjigjen dhe pyetjeve konkrete të përfaqësuesve të subjekteve, të cilat kishin të bënin me zbatimin praktik të kontrollit të vazhdueshëm të listave të personave të shpallur, vlerësimin e riskut, regjistrimin në modulin e raportimit të DPPPP në funksion të përditësimit me listat e klientëve ndaj të cilëve zbatohen masat e vigjilencës së zgjeruar, krijimi dhe funksionimi i sistemit të centralizuar për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave dhe transaksioneve, zbatimi i masave të vigjilencës së duhur, raportimi në DPPPP i transaksioneve me para në dorë dhe aktivitetit të dyshimtë për pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit etj.
DPPPP me gjithë kufizimet që diktohen nga kushtet e pandemisë Covid-19 do të vijojë pa ndërprerje punën për të mbështetur përpjekjet e subjekteve në drejtim të zbatimit efektiv të legjislacionit në fushën parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe forcimit të sistemit parandalues.