Agjencia e Inteligjencës Financiare

Trajnim me subjektet bankare

Në datën 19.06.2024, Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) zhvilloi në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave një Trajnim mbi çështjet e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit(PP/FT), në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të strukturave të përputhshmërisë së bankave të nivelit të dytë në Shqipëri.

Gjatë këtij trajnimi janë trajtuar çështjet që kanë të bëjnë me Vlerësimin Kombëtar të Riskut PP/FT, zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare në fushën e financimit të terrorizmit, përgatitja për raundin e 6-të të vlerësimit të Shqipërisë nga Komiteti Moneyval i Këshillit të Evropës, tipologji të PP/FT mbi transaksionet komplekse, risqet PP/FT në nivel ndërkombëtar që lidhen me metodat e reja të pagesave dhe lojërat e fatit në internet, ndryshimet në legjislacionin PP/FT, pritshmëritë mbikëqyrëse të AIF, vlerësimi individual i riskut PP/FT nga subjektet e ligjit, aspektet për përmirësimin e procesit të raportimit në AIF si dhe rolin e auditit të brëndshëm në zbatimin e detyrimeve ligjore etj.

Gjatë këtij trajnimi, AIF ju dha përgjigjen dhe një sërë pyetjesh konkrete të përfaqësuesve të subjekteve, të cilat kishin të bënin me zbatimin praktik të kontrollit të vazhdueshëm të listave të personave të shpallur, vlerësimin e riskut,  funksionimi i sistemit të centralizuar për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave dhe transaksioneve, zbatimi i masave të vigjilencës së duhur, raportimi në AIF i transaksioneve me para në dorë dhe aktivitetit të dyshimtë për pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit etj.

AIF do të vijojë qasjen aktive në angazhimin me Shoqatën e Bankave dhe subjektet  e tjera të ligjit për të rritur kapacitetet parandaluese si dhe forcimin e mëtejshëm të integritetit të sistemit ekonomiko financiar në Republikën e Shqipërisë.