Agjencia e Inteligjencës Financiare

Trajnim mbi Hetimin e Pastrimit të Parave përmes Kriptomonedhave

Agjencia e Inteligjencës Financiare mori pjesë në trajnimin e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në datat 23-24 Qershor mbi Hetimin e Pastrimit të Parave përmes Kriptomonedhave, zhvilluar në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse të Policisë Italiane dhe Guardia di Finanza për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi në Ambasadën Italiane në Tiranë, me qëllim për të forcuar kapacitetet e organeve të zbatimit të ligjit shqiptar në hetimin e veprës penale të pastrimit të parave nëpërmjet kriptomonedhave. Pjesë e këtij trajnimi ishin edhe përfaqësues nga institucionet e Prokurorisë të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prokurorisë së Përgjithshme, Byrosë Kombëtare të Hetimit, Policisë të Shtetit dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor.

Pjesëmarrësit në trajnim morën njohuri praktike dhe të thelluara mbi metodat, sfidat dhe problematikat e hasura ne lidhje me parandalimin, hetimin e veprës penale të pastrimit të parave ndërmjet kriptomonedhave dhe sekuestrimin e tyre si produkt i veprës penale.

Ky trajnim ishte vijues i përpjekjeve të mëparshme të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, organizuar gjatë muajit dhjetor 2024, i cili mblodhi së bashku ekspertë ligjzbatues dhe ekspertë të gjyqësorit shqiptar dhe atij italian, për të diskutuar praktikat më të mira për adresimin e sfidave komplekse dhe në zhvillim të krimeve financiare të bazuara në përdorimin e kriptovalutave.

Agjencia e Inteligjencës Financiare vlerëson përfshirjen në këto aktivitete të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe mbështetjen e bashkëpunimit ndërkufitar në luftën e përbashkët për parandalimin e pastrimit të parave dhe krimet e tjera financiare, në përgjigje të sfidave që përballemi në epokën dixhitale.