Në datën 19 Nëntor 2024, Agjencia e Inteligjencës Financiare organizoi takimin koordinues me partnerët ndërkombëtarë mbi “Strategjinë Kombëtare të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit dhe Planin e saj të Veprimit 2024-2027” me synim koordinimin e ndihmës dhe mbështetjes për zbatimin e aktiviteteve pjesë përbërëse e këtij dokumenti.
Në këtë takim u diskutua edhe draft “Strategjia për edukimin e publikut mbi rrezikun që mbart pastrimi i parave dhe financimi i terrorizimit në shoqërinë tonë”, pjesë e planit të masave për zbatimin e “Strategjisë Kombëtare të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit”.
Në këtë mbledhje morën pjesë edhe anëtarët e Përhershëm të Grupit Teknik Ndërinstitucional të Punës (GTNP), përfaqësues të institucioneve publike dhe përfaqësues të sektorit privat. Grupit Teknik Ndërinstitucional i Punës (GTNP), është një strukture e posaçme në funksion të rritjes së efektivitetit të luftës ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit me qëllimin madhor atë të rritjes të komunikimit midis institucioneve përgjegjëse dhe ato të sektorit privat për të rritur efikasitetin dhe progresin në sistemin parandalues të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në këtë takim partnerët ndërkombëtarë vlerësuan iniciativën e autoriteteve shqiptare dhe sektorit privat në hartimin e Strategjisë dhe veçanërisht rolin koordinues të AIF gjatë procesit të konsultimit, hartimit dhe monitorimit te saj, si dhe garantuan gatishmërinë, angazhimin dhe vijimin e mëtejshëm të mbështetjes me ndërmarrjen e projekteve të reja që do të fokusohet në mitigimin e risqeve të reja të krimeve financiare, rritjen e kapaciteteve për të menaxhuar risqet e lidhura me profesionet e lira, duke u fokusuar në prioritizimin e partneritetit publik-privat.
Në fjalën e tyre përfaqësuesit e institucioneve publike shprehën mirënjohjen për partnerët ndërkombëtarë për të gjithë financimin e projekteve dhe impakti tejet pozitiv që ka rezultuar nga zbatimi i këtyre projekteve në vite. Gjithashtu, në mënyrë të veçantë u theksua roli i AIF në bashkërendimin e të gjitha nismave të përbashkëta, të cilat kanë sjellë rezultate shumë të kënaqshme në thellimin e konkretizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional proaktiv dhe shkëmbimin e eksperiencave pozitive ndërmjet tyre.
Institucionet e sektorit privat përgëzuan nismën e ndërmarrë nga AIF për organizimin e këtij takimi me partnerët ndërkombëtarë, duke shprehur vlerësimet edhe për përfshirjen e tyre domethënëse në Grupin Teknik Ndërinstitucional të Punës, si gjatë hartimit dhe gjatë zbatimit të Strategjisë dhe siguruan për kontributin e tyre të mëtejshëm lidhur me adresimin e rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në përmbyllje të këtij takimi, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare falënderoi pjesëmarrjen në këtë takim dhe bashkëpunimin shumë të frytshëm me të gjithë institucionet shqiptare dhe përfaqësuesit e sektorit privat. Si dhe në mënyrë të veçantë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në kuadër të ndihmës për zbatimin sa më efektiv të masave të planit të veprimit të strategjisë kombëtare, duke theksuar se Grupit Teknik Ndërinstitucional i Punës ka kapacitetet e duhura për të ndjekur me seriozitet, përgjegjshmëri dhe transparencë maksimale përdorimin sa më efektivitet të ndihmës që do të ofrohet.