Agjencia e Inteligjencës Financiare

Takimi i Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave.

Më datë 24.07.2024, u mbajt nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Belinda Balluku takimi i Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave (KBLKPP), që funksionon si një mekanizëm politikbërës për çështjet e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (PPP/FT). Në takim, merrnin pjesë anëtarët të përhershëm të KBLKPP, si dhe të ftuarit: Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave. Vëmëndja kryesore në këtë takim ju kushtua prezantimit për miratim të dokumentit të Strategjisë Kombëtare “Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit 2024-2030” dhe Planin e Veprimit. Gjatë prezantimit, u pasqyrua procesi gjithëpërfshirës i hartimit të kësaj strategjie dhe procesi i konsultimit të saj, ku u theksua se një vëmendje e veçantë i është dhënë bashkëpunimit të ngushtë me sektorin privat, të cilët janë angazhuar plotësisht si në hartimin e saj si anëtarë të Grupit Teknik Ndërinstitucional të Punës (GTNP) dhe në procesin e konsultimit, duke ndikuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në forcimin e këtij partneriteti publik privat. Strategjia përcakton objektiva në vijim, të cilët do të përmbushen nëpërmjet masave të detajuara në planin e veprimit që shoqëron këtë strategji.

  • Objektivi nr.1:Përmirësimi i kuadrit rregullator dhe forcimi i koordinimit ndërinstitucional;
  • Objektivi nr.2: Rritja e mëtejshme e efektivitetit të sistemit parandalues;
  • Objektivi nr.3: Përmirësimi i efikasitetit operacional të organeve ligj zbatuese dhe agjencive të tjera në luftën kundër PP/FT;
  • Objektivi nr.4:Përdorimi dhe shfrytëzimi i inovacioneve teknologjike duke minimizuar rreziqet;
  • Objektivi nr. 5: Rritja e efektivitetit të sistemit mbikëqyrës;
  • Objektivi nr. 6: Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar.

Dokumenti i strategjisë, thekson nevojën për angazhimin e të gjithë institucioneve për t’iu përgjigjur kërkesave të Bashkimit Evropian dhe Komitetit Moneyval të Këshillit të Evropës, në mënyrë që vendi të vijojë progresin e deritanishëm, të vlerësimeve pozitive nga organizmat ndërkombëtarë. Strategjia u miratua në unanimitet nga të gjithë anëtarët. Miratimi i kësaj strategjie, shoqërohet me rezultatet konkrete për Shqipërinë në kuadër të zbatimit të agjendës së reformave, pjesë e planit të rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Në këtë takim, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF), raportoi gjithashtu mbi realizimin e detyrave të GTNP për vitin 2024, si dhe punën e nëngrupeve respektive:

  • Nëngrup I “Për asetet virtuale”;
  • Nëngrup II “Për mbledhjen dhe cilësinë e informacionit për investigimet penale në lidhje me PP/FT”;
  • Nëngrup III “Për analizën e riskut lidhur me kategoritë e OJF-ve që janë më të cënueshme për keqpërdorim apo abuzim për financim terrorizmi”.

ku vlen të theksohet pjesëmarrja aktive në mbledhjet e GTNP, të përfaqësuesve të sektorit privat, kontributi i të cilëve përbën një vlerë shtuar në procesin e hartimit të strategjisë dhe konsolidimit të strukturës së GTNP. Më tej Drejtori i AIF, raportoi mbi punën përgatitore të kryer nga GTNP, nën drejtimin e AIF për vlerësimin e Shqipërisë nga Komiteti Moneyval në kuadër të raundit të 6-të të vlerësimit që do të realizohet në vitet 2025-2026. Ky proces konsiston në përgatitjen e kontributeve paraprake për aspektet e efektivitetit nga ekspertët ndërkombëtar dhe mundësohet me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Këshilli i Evropës, Bashkëpunimi  Gjerman (GIZ), Ambasada Britanike dhe Ambasada e SHBA. Në këtë kuadër u raportua se gjatë muajve tetor- janar 2025, ekspertët do të zhvillojnë ushtrimet simuluese me institucionet Shqiptare, për të gjitha fushat e efektivitetit.