Agjencia e Inteligjencës Financiare

Takim pune me shoqatën e bankave.

Në datën 25.01.2022 Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) organizoi një takim pune në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Shqipërisë. Në këtë takim merrnin pjesë Drejtori i Përgjithshëm i DPPPP, përfaqësues të Shoqatës së Bankave dhe bankave të nivelit të dytë, përgjegjës për çështjet e përputhshmërisë me legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në këtë takim Drejtori i Përgjithshëm i DPPPP, bëri një prezantim të ndryshimeve të ligjit nr.9917/2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”i ndryshuar dhe ecurisë së procesit të vlerësimit të Shqipërisë nga FATF/ICRG.

Në takim gjithashtu u trajtuan një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me:

– Zbatimi konkret i ndryshimeve të ligjit nr.9917 dhe hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit të DPPPP me sektorin bankar;
– Raportimin e transaksioneve dhe aktivitetit të dyshimtë në DPPPP, për pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit;
– Ecuria e përditësimit të dhënave për pronarët përfitues për klientët dhe përdorimi efikas i regjistrit të krijuar për këtë qëllim;
– Zbatimi i sanksioneve për personat e shpallur si financues të terrorizmit, sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara;
– Organizimi i trajnimeve për personelin e bankave, në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
– Zhvillimet teknologjike në kuadrin e procesit të raportimit në DPPPP;

DPPPP i kushton një vëmëndje të posaçme bashkëpunimit me të gjitha subjektet e ligjit dhe veçanërisht sektorit bankar dhe në këtë kontekst do të vijojë pareshtur puna për organizimin e takimeve të tilla periodike, të cilat i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të sistemit parandalues të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në Shqipëri