Agjencia e Inteligjencës Financiare

Takim me Shoqatën Shqiptare të Këmbimit Valutor (AFEA) mbi edukimin financiar

Në datë 18.02.2025 Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) organizoi një takim me Shoqatën Shqiptare të Këmbimit Valutor mbi “Strategjinë e edukimit dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi rrezikun e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (PP/FT)”, në ambientet e AIF.

AIF ka pasur komunikim të vazhdueshëm me zyrat e këmbimit valutor (ZKV), si dhe Shoqatën AFEA në funksion të rritjes së ndërgjegjësimit mbi masat parandaluese të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit që ky sektor duhet të ndërmarrë në ushtrimin e aktivitetit të tij financiar.

Përfaqësuesit e AIF në këtë takim vunë theksin në rëndësinë që ka forcimi i partneritetit publik privat në luftën e përbashkët të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Roli i ZKV ka një vend të rëndësishëm në këtë bashkëpunim veçanërisht në identifikimin e klientit duke i kushtuar vëmendje të posaçme klientëve jo rezidentë, si dhe në analizimin e transaksioneve me vlera të larta dhe komplekse për të cilat duhet vëmendje e shtuar për raportimin e aktiviteteve të dyshimta.

Përfaqësuesit e shoqatës theksuan nevojën për rritjen e numrit të trajnimeve dhe takimeve ndërgjegjësuese të ZKV me qëllim marrjen e masave të efektshme parandaluese dhe  rritjen e cilësisë së raporteve të aktivitetit të dyshimtë.

Në përfundim, pjesëmarrësit falënderuan dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të rritur bashkëpunimin në mënyrë që vendi të ketë rezultate sa më të mira ne luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.