Agjencia e Inteligjencës Financiare

Takim koordinues me përfaqësues të projektit EU4LEA2 dhe GIZ

Një takim koordinues u zhvillua më datë 25.06.2025, midis përfaqësuesve të projektit EU4LEA2 (Bashkimi Evropian për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri) Faza II dhe Agjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF). Në takim morën pjesë z. Ervin Koçi, Drejtor i Përgjithshëm, znj. Entila Zyba, Drejtor i Drejtorisë së Koordinimit dhe Juridike dhe z. Artan Shiqerukaj, Drejtor i Drejtorisë së Analizës Financiare. Qëllimi i takimit ishte prezantimi i projektit EU4LEA 2 dhe mbështetja e parashikuar për Agjencinë e Inteligjencës Financiare, veçanërisht në fushat e forcimit të kapaciteteve institucionale dhe përafrimit me standardet e BE-së në fushën e inteligjencës financiare.

Z.Koçi falenderoi Delegacionin e Bashkimit Evropian si dhe përfaqësuesit e projektit EU4LEA2 për bashkëpunimin e frytshëm dhe të vazhdueshëm në mbështetje të angazhimeve të AIF për zbatimin e planit të veprimit të “Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit 2024-2030” dhe “Strategjisë Institucionale 2023-2027”.

Koordinatori Ndërkombëtar i Projektit EU4LEA2, z. Giovanni Pasqua, paraqiti strukturën e koordinimit të projektit dhe rolin e tij në lehtësimin e sinergjive me partnerë dhe donatorë të tjerë ndërkombëtarë. Znj. Ardita Shehaj, Udhëheqëse e Komponentit për Hetimet Financiare, që do të zbatohet nga GIZ, prezantoi gjithashtu fushëveprimin e asistencës teknike të parashikuar në kuadër të këtij komponenti.

Takimi vendosi hapa të rëndësishëm drejt rritjes të kapaciteteve operacionale dhe analitike të Agjencisë së Inteligjencës Financiare në kuadër të forcimit të sistemit parandalues të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.