Në datë 28.03.2025 Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) organizoi një takim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTIT) mbi “Strategjinë e edukimit dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi rrezikun e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (PP/FT)”, në ambientet e DHTIT me pjesëmarrjen e 10 anëtarëve.
Takimi u përshëndet nga Drejtori i Përgjithshëm i AIF, Z. Ervin Koçi dhe Kryetari i DHTIT, Z. Nikolin Jaka. Takimi u mbajt në një frymë bashkëpunimi dhe u dakordësua për anëtarësimin e DHTIT në Grupin Teknik Ndërinstitucional të Punës (GTNP). Hapi i parë i këtij bashkëpunimi do të jetë dhe pjesëmarrja e DHTIT në takimin e radhës të GTNP.
Gjithashtu, diskutimi u përqendrua në rëndësinë që ka komuniteti i biznesit në ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe luftën e përbashkët të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (PP/FT).
DHTIT shprehu gatishmërinë për të organizuar dhe marrë pjesë në trajnimet që do të zhvillohen në vijim me qëllim rritjen e kapaciteteve institucionale për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në Shqipëri.
Në përfundim, pjesëmarrësit falënderuan dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të rritur bashkëpunimin në mënyrë që vendi të ketë rezultate sa më të mira ne luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.