Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) zhvilloi një takim konsultativ në format online me përfaqësues të klubeve profesionale të futbollit dhe agjentëve të futbollit, në kuadër të procesit të harmonizimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Takimi u zhvillua në kuadër të procesit të konsultimit publik të projektligjit të ri “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i cili synon përafrimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian dhe rekomandimet ndërkombëtare në fushën AML/CFT.
Gjatë takimit u prezantuan risitë kryesore të projektligjit, i cili, për herë të parë, parashikon përfshirjen e klubeve profesionale të futbollit dhe agjentëve të futbollit në kategorinë e subjekteve raportuese. Diskutimet u fokusuan në detyrimet që burojnë nga kuadri i ri ligjor, përfshirë qasjen e bazuar në rrezik, masat e njohjes së klientit, identifikimin e pronarit përfitues, raportimin e aktiviteteve të dyshimta, si dhe masat e kontrollit të brendshëm.
Takimi u karakterizua nga një diskutim konstruktiv, gjatë të cilit pjesëmarrësit shprehën interes për zbatimin e kuadrit të ri ligjor dhe adresuan pyetje mbi detyrimet e parashikuara, ndërsa përfaqësuesit e AIF ofruan sqarimet përkatëse dhe iu përgjigjën të gjitha pyetjeve të ngritura.
Agjencia e Inteligjencës Financiare mbetet e angazhuar për zhvillimin e një procesi gjithëpërfshirës konsultimi me të gjitha kategoritë e subjekteve të prekura nga projektligji, me synim forcimin e zbatimit të standardeve kombëtare dhe evropiane për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
