Agjencia e Inteligjencës Financiare

Takim konsultativ me përfaqësues të shoqërisë civile mbi projektligjin PPP/FT

Agjencia e Inteligjencës Financiare organizoi një takim konsultativ me përfaqësues të shoqërisë civile në ambientet e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në kuadër të procesit të harmonizimit të kuadrit ligjor shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Gjatë takimit u diskutua projektligji i ri “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i hartuar në kuadër të Kapitullit 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit”, seksioni 4.3 “Lufta kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”. Projektligji është publikuar për konsultim publik dhe synon përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me paketën e re të Bashkimit Evropian kundër pastrimit të parave. Ky konsultim synoi të përfshijë  perspektivat dhe rekomandimet e shoqërisë civile në procesin e hartimit të projektligjit, me qëllim forcimin e  transparencës dhe zbatueshmërisë së tij.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile e vlerësuan projektligjin si një arritje të rëndësishme drejt forcimit të sistemit kombëtar të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Gjatë diskutimeve, ata paraqitën gjithashtu një sërë rekomandimesh që synojnë forcimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe institucional, me fokus të veçantë në verifikimin dhe transparencën e pronësisë përfituese, rritjen e cilësisë së të dhënave në regjistrat përkatës, forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe zgjerimin e rolit të shoqërisë civile në monitorimin e zbatimit të masave kundër pastrimit të parave.