Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF), në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), organizoi një sesion informues dhe ndërgjegjësues në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në kuadër të zbatimit të Strategjisë për Edukimin e Publikut mbi Rrezikun që Mbart Pastrimi i Parave dhe Financimi i Terrorizmit në Shoqërinë Tonë, pjesë e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (PP/FT) 2024–2030.
Sesioni kishte në fokus funksionimin e sistemit shqiptar për parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të përhapjes së armëve të dëmtimit në masë, rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve publike dhe subjekteve private, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në identifikimin, vlerësimin dhe parandalimin e këtyre rreziqeve.
Gjatë aktivitetit, përfaqësues të AIF-së, Bankës së Shqipërisë, NAREA® National Albanian Real Estate Association dhe stafi akademik ndanë me studentët njohuri dhe përvoja praktike, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes së profesionistëve të ardhshëm, forcimit të integritetit profesional dhe zhvillimit të një kulture ndërgjegjësimi në luftën kundër pastrimit të parave.
AIF vlerëson rëndësinë e nismave të tilla, të cilat kontribuojnë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e brezit të ri, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe mjedisit akademik.
Aktiviteti u organizua nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në kuadër të projektit “Strengthening AML Knowledge, Oversight, and Professional Capacity in Albania”, të mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, përmes Programit MATRA, i cili synon forcimin e demokracisë, mirëqeverisjes dhe shtetit të së drejtës, në mbështetje të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.


