Digjitalizimi dhe zgjerimi i platformave të lojërave dhe basteve online kanë transformuar ndjeshëm sektorin e lojërave të fatit, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e aktivitetit ekonomik. Megjithatë, këto zhvillime kanë sjellë edhe sfida të shtuara në drejtim të parandalimit dhe luftës kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.
Në raportin “Risks of Gaming and Gambling”, publikuar në vitin 2026, Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar (FATF) analizon rreziqet që lidhen me keqpërdorimin e sektorit të lojërave dhe basteve për qëllime të paligjshme, duke marrë në konsideratë zhvillimin e teknologjisë, zgjerimin e shërbimeve online dhe natyrën gjithnjë e më ndërkufitare të këtyre aktiviteteve.
Raporti evidenton disa faktorë që rrisin ekspozimin e sektorit ndaj këtyre rreziqeve, ndër të cilët përdorimi i platformave të palicencuara, kryerja e transaksioneve ndërkufitare, përdorimi i llogarive të personave të tretë, si dhe shfrytëzimi i portofolëve elektronikë dhe aktiveve virtuale. Këta faktorë mund të shfrytëzohen për të fshehur origjinën e fondeve, për të vështirësuar gjurmimin e transaksioneve dhe për të maskuar përfituesit realë të aktivitetit.
Në këtë kontekst, FATF thekson rëndësinë e zbatimit të një qasjeje të bazuar në risk, forcimit të mekanizmave të licencimit dhe mbikëqyrjes, si dhe përmirësimit të proceseve të identifikimit dhe raportimit të transaksioneve të dyshimta. Një rëndësi të veçantë merr gjithashtu bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve kompetente dhe sektorit privat, si dhe shkëmbimi në kohë i informacionit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Përballë zhvillimeve të vazhdueshme teknologjike dhe formave gjithnjë e më komplekse të keqpërdorimit të sektorit, identifikimi dhe vlerësimi në kohë i rreziqeve mbeten thelbësore për forcimin e masave parandaluese dhe mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar.
