Në datat 24-25 Shtator GIZ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit) GmbH organizoi në Shkup, Maqedonia e Veriut takimin përmbyllës të “Programit global të goditjes të flukseve të paligjshme financiare” me pjesëmarrjen e institucioneve ligj zbatuese përfituese të këtij programi në rajon.
GIZ nëpërmjet këtij programi ka dhënë mbështetje të vazhdueshme për institucionet shqiptare, nëpërmjet ekspertizës ndërkombëtare, veçanërisht gjatë periudhës që Shqipëria ishte e listuar nga FATF në listën e vendeve të juridiksioneve nën monitorim të zgjeruar.
Në këtë takim Agjencia e Inteligjencës Financiare u përfaqësua nga Drejtoresha e Drejtorisë së Koordinimit dhe Juridike, e cila në fjalën e mbajtur shprehu mirënjohjen për ndihmën e përfituar në vite nga GIZ dhe falënderoi në mënyrë të veçantë bashkëpunimin dhe koordinimi profesional të Këshilltares të këtij programi për Shqipërinë Znj. Ardita Shehaj.
Falë ekspertizës të dhënë në kuadër të ndihmës të GIZ, Shqipëria paraqitet si një rast suksesi në rajon për hartimin e kuadrit ligjor dhe ngritjen në një kohë të shkurtër të dy regjistrave elektronikë të pronarëve përfitues dhe regjistrin e centralizuar të llogarive bankare, të cilët janë tashmë mekanizma efektivë në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Gjithashtu nëpërmjet mbështetjes financiare të GIZ institucionet Shqiptare forcuan modelin e partneritetit publik privat në hartimin e “Strategjisë kombëtare të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit 2024-2030 dhe planit të saj të veprimit”.