Në kuadër të edicionit të 5-të të konferencës “No Money For Terror”, me pjesëmarrjen e ministrave të Financave të vendeve të G7, Parisi mirëpriti përfaqësues të sektorit publik dhe privat, si dhe homologë ndërkombëtarë, në një seri aktivitetesh të dedikuara forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër financimit të terrorizmit.
Agjencia e Inteligjencës Financiare ishte pjesë e seminarit ndërkombëtar të organizuar nga Tracfin, kushtuar luftës kundër financimit të terrorizmit, me pjesëmarrjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë.
Aktiviteti u përshëndet nga Roland Lescure, Ministër i Ekonomisë dhe Financave i Francës, Antoine Magnant Drejtor i Tracfin, si dhe Elzbieta Franków-Jaskiewicz, Presidente e Egmont Group of Financial Intelligence Units, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit publik-privat dhe koordinimit ndërkombëtar në luftën kundër financimit të terrorizmit.
Fokusi i diskutimeve ishte parandalimi i keqpërdorimit të inovacioneve financiare për financimin e terrorizmit, lidhjet ndërmjet financimit të terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar në adresimin e këtyre rreziqeve.
Shqipëria po ndërmerr hapa konkretë për forcimin e integritetit të sistemit financiar, përmes modernizimit të mekanizmave të monitorimit financiar, forcimit të inteligjencës financiare dhe zgjerimit të ekspertizës në fusha të reja, si FinTech, kriptoasetet dhe financat digjitale.

