Agjencia e Inteligjencës Financiare

Mblidhet Komiteti i Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave

Me datë 27.12.2023, nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Belinda Balluku, u mblodh Komiteti i Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave (KBLKPP) strukturë kolegjiale përgjegjëse për përcaktimin e drejtimeve të politikës së përgjithshme shtetërore në fushën e parandalimit dhe luftës kundër pastrimit të parave (PP) e financimit të terrorizmit (FT).

Komiteti pasi u informua në mënyrë të detajuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, vlerësoi kontributin e institucioneve të angazhuara për progresin thelbësor në përmbushje të standardeve ndërkombëtare, siç janë dalja e vendit nga “lista gri” e FATF, rritja e përmbushjes së rekomandimeve të Moneyval si dhe direktivave përkatëse të BE, duke çuar vendin në një nivel më të lartë përputhshmërie të lartë.

Komiteti mori në shqyrtim një sërë çështjesh prioritare ndërinstitucionale, të cilat kanë të bëjnë me:

  • Adresimin e nevojës për rritje të bashkëpunimit, koordinimit dhe ndërveprimit mes institucioneve, në funksion të rritjes e efektivitetit kundër PP, sekuestrimit dhe konfiskimit te pasurive kriminale;
  • Vazhdimin e angazhimit në përmbushje të mëtejshme të rekomandimeve ndërkombëtare të FATF dhe BE;
  • rreziqet në nivel vendi të evidentuara nga dokumenti strategjik i vlerësimit kombëtar të riskut për PP dhe FT;
  • ?Nevojën për rritjen e bashkëpunimit publik-privat në funksion të parandalimit të PP dhe FT, përmes angazhimit në takime periodike dhe përgatitjes se tipologjive të përbashkëta;
  • Nevojën për hartimin e një strategjie kombëtare për parandalimin dhe goditjen e PP/FT.

Në këtë mbledhje, pas diskutimeve dhe në mirëkuptim në plotë, u miratuan edhe një sërë dokumentesh të rëndësishme si:

  • Vlerësimi Kombëtar i Riskut të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit në Shqipëri dhe Planit të Veprimit të këtij vlerësimi.
  • Fillimi i punës në funksion të hartimit të strategjisë kombëtare “Për parandalimin  e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” dhe planin e saj të veprimit;
  • Grupi Teknik Ndërinstitucional i Punës ngarkohet për monitorimin e realizimit të politikave të përgjithshme shtetërore, objektivave strategjikë dhe planeve të veprimit si dhe shërben si strukturë e posaçme në funksion të rritjes së efektivitetit të goditjes së pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.