Agjencia e Inteligjencës Financiare

Mbledhja e tretë e Grupit Teknik Ndërinstitucional të Punës

Në datë 11.06.2024, u mbajt mbledhja e tretë e Grupit Teknik Ndërinstitucional të Punës (GTNP), aktivitet i organizuar bashkërisht me Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë.

Në këtë mbledhje morën pjesë anëtarët e përhershëm të GTNP, si dhe përfaqësues nga sektori privat. Tema kryesore e kësaj mbledhjeje ishte prezantimi dhe diskutimi mbi rekomandimet e ekspertit të Këshillit të Evropës z. David Parody, mbi draft dokumentin “Strategjia Kombëtare kundër Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit për periudhën 2024-2030”.

Mbledhjen e GTNP e përshëndeti edhe përfaqësuesja e Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri Znj. Lenka Vitkova, Shefe Seksioni, Shteti i së Drejtës dhe Qeverisja e Mirë.

Znj. Vitkova në fjalën e saj përshëndetëse theksoi dhe përgëzoi bashkëpunimin ndërinstitucional për hartimin e këtij dokumenti strategjik dhe rëndësinë që ky dokument paraqet për vlerësimet e ardhshme të Shqipërisë në lidhje me sistemin parandalues të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Gjithashtu një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Z. Olsi Dekovi, Zëvendës Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës i cili falënderoi për punën e bërë në hartimin e kësaj strategjie e cila e gjen mbështetjen në Vlerësimin Kombëtar të Riskut, hartuar në përputhje me metodologjinë e Këshillit të Evropës dhe me mbështetjen e BE dhe KiE. Ky dokument strategjik përbën një tjetër hap të rëndësishëm për forcimin e luftës ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare falënderoi pjesëmarrësit për kontributin e deritanishëm dhe theksoi nevojën për kontribut dhe angazhim aktiv në procesin final të hartimit të strategjisë.

Mbledhja vijoi me prezantimin e përfaqësuesve të Agjencisë të Inteligjencës Financiare mbi punën për hapat që ka ndjekur hartimi i draftit të parë të strategjisë hartuar nga Eksperti Kombëtar, mbështetur financiarisht nga asistenca e GIZ.

Në vijim fjala Ju dha ekspertit të Këshillit të Evropës Z. David Parody, i cili prezantoi rekomandime dhe sugjerime për përmirësimin e përmbajtjes të draft strategjisë në terma objektivë dhe të aktiviteteve që duhet të përmbushen.

Në përfundim të mbledhjes anëtarët e GTNP u bënë pjesë aktive e diskutimeve dhe propozimeve për përmirësimin e mëtejshëm të draft dokumentit të “Strategjisë Kombëtare kundër Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit për periudhën 2024-2030” si dhe u përcaktuan prioritet për tu përmbushur në kuadër të angazhimeve vijuese.