Agjencia e Inteligjencës Financiare

Mbledhja e dytë e Grupit Teknik Ndërinstitucional të Punës (GTNP)

Në datë 11.04.2024, u mbajt mbledhja e dytë e Grupit Teknik Ndërinstitucional të Punës (GTNP), në zbatim të vendimit të miratuar në Komitetin e Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave (KBLKPP) në datë 27 Dhjetor 2023.

Në këtë mbledhje morën pjesë përfaqësues të GTNP nga institucionet anëtare të KBLKPP si Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit,  Shërbimi Informativ i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë të Shtetit, Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe ILDKPKI; institucione të tjera të rëndësishme publike si Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Qendra Kombëtare e Biznesit, Bordi i Mbikëqyrjes Publike, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit, si dhe përfaqësues nga sektori privat si Dhoma Kombëtare e Noterisë, Shoqata Shqiptare e Bankave, NAREA, IEKA, Shoqata e Agjencive të Këmbimit Valutor (AFEA) dhe Shoqata e Ndërtuesve të cilët i kanë rritur cilësinë e kontributit të dhënë deri tani.

Në këtë mbledhje, u prezantua ecuria e punës së kryer deri tani lidhur me hartimin e Strategjisë Kombëtare “Për parandalimin  e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit 2024-2028” dhe planin e saj të veprimit (miratimi në Komitetin e Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave brenda muajit qershor 2024). Eksperti vendas i kontraktuar nga GIZ që ka ofruar mbështetjen për hartimin e Strategjisë z. Artur Papajani, parashtroi për të pranishmit draftin paraprak të Strategjisë me shtyllat kryesore dhe vizionin e saj. Të pranishmit u dakordësuan të vijojnë me njohjen dhe dhënien e kontributeve relevante për përmirësimin/rishikimin e Draftit paraprak të Strategjisë.

Gjithashtu, pikë shumë e rëndësishme ishte raportimi i ecurisë së punës së 3 nëngrupeve të punës ngritur brenda GTNP (I-“Për asetet virtuale”, II- “Për mbledhjen dhe cilësinë e informacionit për investigimet në lidhje me PP/FT dhe III- “Për organizatat jofitimprurëse”) të cilët kanë zhvilluar takime intensive gjatë muajve mars-prill duke dakordësuar  mbi detyrat fillestare të këtyre nëngrupeve në serinë e procesit shumë impenjativ që do të zhvillohet gjatë këtij viti.

Të pranishmit po ashtu, patën mundësi të njihen gjatë mbledhjes më në detaje me procesin e parapërgatitjes së Shqipërisë për vlerësimin e radhës nga Komiteti Moneyval, plotësimin e pyetësorëve paraprakë nga të gjitha institucionet përgjegjëse, plotësimi i të cilëve pritet të finalizohet brenda muajit maj 2024.

Në këtë takim pjesëmarrësit u njohën gjithashtu dhe me përvojën e AIF, në funksion të rritjes së kapaciteteve njerëzore nëpërmjet pjesëmarrjes në projektet ndërkombëtare, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe trajnimet që ofrohen për subjektet e ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në këtë kuadër, theksi u vu në hartimin e planeve vjetore të trajnimeve, koordinimin e mëtejshëm të punës për realizimin e tyre dhe vlerësimin e vazhdueshëm të ndikimit të tyre në sistemin e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.