Më 22 tetor 2026, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e ri “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, një hap i rëndësishëm drejt forcimit të integritetit të sistemit financiar, sigurisë ekonomike dhe përmbushjes së angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Ligji synon përafrimin e kuadrit ligjor shqiptar me katër aktet kryesore të Bashkimit Evropian në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, në përputhje me standardet evropiane dhe detyrimet që rrjedhin nga procesi i negociatave për anëtarësim në BE, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit”. Me këtë përafrim, Shqipëria synon të jetë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që harmonizon kuadrin e saj ligjor me këtë paketë legjislative të BE-së.
Kuadri i ri ligjor parashikon forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes dhe të kapaciteteve institucionale, rritjen e efektivitetit të bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe përmirësimin e shkëmbimit të informacionit ndërmjet autoriteteve kompetente. Gjithashtu, ai synon të forcojë rolin analitik dhe koordinues të institucioneve përgjegjëse dhe të rrisë efektivitetin e mbikëqyrjes së sektorit financiar, sektorit jofinanciar dhe profesioneve të pavarura.
Ndër risitë kryesore të ligjit përfshihen:
- Forcimi i detyrimeve të subjekteve të detyruara për parandalimin dhe raportimin e rasteve të dyshimta;
- Përcaktimi i kërkesave të posaçme për ofruesit e shërbimeve të lidhura me asetet kripto;
- Zbatimi i një qasjeje të bazuar në rrezik në proceset e mbikëqyrjes;
- Forcimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet autoriteteve kompetente.
Ligji parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2028, duke u dhënë institucioneve dhe subjekteve të prekura kohën e nevojshme për përshtatjen e sistemeve, forcimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e mekanizmave të bashkëpunimit.
Miratimi i këtij ligji përbën një zhvillim të rëndësishëm në modernizimin e kuadrit ligjor shqiptar, forcimin e transparencës financiare dhe rritjen e aftësisë së vendit për të parandaluar dhe luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

