Agjencia e Inteligjencës Financiare

Forum rajonal për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftën kundër Financimit të Terrorizmit

Në 20 qershor 2025, u zhvillua në Prishtinë, forumi rajonal për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftën kundër Financimit të Terrorizmit (AML/CTF), i organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës (SHBK).

Forumi mblodhi aktorë të rëndësishëm të sektorit financiar nga të dy vendet, përfshirë përfaqësues të bankave anëtare të AAB dhe SHBK, Njësive të Inteligjencës Financiare, Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore të Kosovës.

Në këtë forum Agjencia e Inteligjencës Financiare Shqiptare (AIF) u përfaqësua nga Drejtoresha e Drejtorisë të Koordinimit dhe Juridike dhe Analist të Drejtorisë të Analizës Financiare.

Me interes të veçantë u prit nga të pranishmit prezantimi nga Agjencia e Inteligjencës Financiare i tipologjive lidhur me rastet e skemave të mashtrimit nëpërmjet call center si dhe përfshirja e klientëve me rrezik të lartë në këto skema, prezantim i cili shërbeu për të ndarë eksperiencën si me përfaqësuesit e sektorit publik dhe atij privat.

Në pjesën përmbyllëse të këtij forumi përfaqësuesit e Njësive të Inteligjencës Financiare të Shqipërisë dhe të Kosovës ndanë përvojat e tyre mbi përmbushjen e Rekomandimeve të FATF dhe masat që është duke ndërmarrë Shqipëria në kuadër të raundit të 6të të vlerësimit nga Moneyval, duke evidentuar veçanërisht rolin që ka sektori bankar për përmbylljen me sukses të këtij raundi vlerësimi.