Në datën 08.09.2021, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave(DPPPP) në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Noterëve, organizoi në qytetin e Vlorës, një aktivitet trajnimi me temë “Prezantimi i legjislacionit PPP/FT dhe udhëzuesit për sanksionet ndërkombëtare”.
Gjatë këtij trajnimi, ekspertët e DPPPP trajtuan çështjet që kanë të bëjnë me rolin e rëndësishëm që noterët kanë në funksionimi e sistemit parandalues në vënd; progresi i deritanishëm në zbatimin e legjislacionit PPP/FT; raportimi në DPPPP si dhe pasojat administrative apo penale për mospërmbushje të këtij detyrimi ligjor; pritshmëritë e DPPPP si autoritet mbikëqyrës; masat e ndërmarra në drejtim të monitorimit të përputhshmërisë së subjekteve me kuadrin ligjor PPP/FT dhe zbatimi rekomandimeve; krijimi i një niveli përputhshmërie mbi zbatimin e njëtrajtshëm të detyrimeve ligjore PPP/FT nga subjektet e ligjit; roli dhe detyrat e Personit Përgjegjës për çështjet e përputhshmërisë me legjislacionin PPP/FT; bashkëpunimi me Dhomën Kombëtare të Noterisë, për të forcuar më tej sistemin parandalues në vend; zbatimi i sanksioneve ndërkombëtare, në bazë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për personat e shpallur si financues të terrorizmit dhe udhëzuesi për Rekomandimet 6 dhe 7 të FATF, që kanë të bëjnë me financimin e terrorizmit dhe përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, etj.
Ekspertët e DPPPP, gjithashtu ju përgjigjen pyetjeve konkrete të pjesëmarrësve, të cilat kishin të bënin me zbatimin praktik të kontrollit të vazhdueshëm të listave të personave të shpallur, vlerësimin e riskut për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, përditësimin me listat e klientëve ndaj të cilëve zbatohen masat e vigjilencës së zgjeruar, krijimi dhe funksionimi i sistemit të centralizuar për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave dhe transaksioneve, zbatimi i masave të vigjilencës së duhur dhe të zgjeruar, raportimi në DPPPP i transaksioneve me para në dorë dhe aktivitetit të dyshimtë për pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit etj.
Ky aktivitet trajnimi, është pjesë përbërëse e punës së vazhdueshme të DPPPP, në drejtim të forcimit të sistemit parandalues në Shqipëri.