Agjencia e Inteligjencës Financiare

AIF vijon konsultimet me sektorin bankar për reformën ligjore në fushën AML/CFT

Agjencia e Inteligjencës Financiare zhvilloi një takim konsultativ me përfaqësues të Shoqatës Shqiptare të Bankave, në kuadër të procesit të harmonizimit të kuadrit ligjor shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Takimi u fokusua në forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit me sektorin bankar, si një partner kyç në zbatimin efektiv të standardeve kombëtare dhe evropiane në këtë fushë.

Gjatë takimit u diskutua projektligji i ri “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i hartuar në kuadër të Kapitullit 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit”, seksioni 4.3 “Lufta kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”. Projektligji, i publikuar për konsultim publik, synon përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me paketën e 6të të Bashkimit Evropian kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe përhapjes se armëve te dëmtimit në mase.

Ky konsultim shërbeu si një platformë për shkëmbimin e mendimeve dhe ekspertizës ndërmjet sektorit publik dhe përfaqësuesve të sektorit privat, me qëllim adresimin e sfidave praktike të zbatimit dhe identifikimin e mundësive për përmirësimin e kuadrit ligjor. Përfshirja e sektorit bankar në këtë proces synon të garantojë që dispozitat e reja të jenë sa më efektive, të zbatueshme dhe në përputhje me standardet më të mira evropiane.

Agjencia e Inteligjencës Financiare vlerëson kontributin e vazhdueshëm të sektorit bankar dhe të sektorit privat në përgjithësi në forcimin e sistemit kombëtar të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet autoriteteve publike dhe institucioneve financiare mbetet një element kyç për identifikimin dhe menaxhimin efektiv të risqeve, rritjen e transparencës dhe garantimin e zbatimit të standardeve më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare. Në këtë kuadër, kontributi profesional dhe ekspertiza e sektorit privat konsiderohen thelbësore për hartimin dhe zbatimin e një kuadri ligjor sa më efektiv dhe të zbatueshëm në praktikë.

Agjencia e Inteligjencës Financiare riafirmoi angazhimin e saj për të vijuar konsultimet me sektori privat me synimin për të ndërtuar një kuadër ligjor efektiv dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.