Agjencia e Inteligjencës Financiare

AIF merr pjesë në mbledhjen e dytë të Komitetit Drejtues të projektit “EU4Law Enforcement in Albania”

Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) mori pjesë në mbledhjen e dytë të Komitetit Drejtues (Steering Committee) të projektit “EU4Law Enforcement in Albania”, ku u prezantuan rezultatet e arritura gjatë periudhës së raportimit, si dhe fushat e ndërhyrjes dhe aktivitetet e planifikuara për periudhën në vijim.

AIF vlerëson mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e rëndësishëm të projektit në forcimin e kapaciteteve institucionale, veçanërisht në përgatitjen për raundin e 6-të të vlerësimit nga MONEYVAL dhe modernizimin e infrastrukturës teknologjike, përfshirë implementimin e zgjidhjes Data Diode, si dhe në zhvillimin e platformës së koordinimit ndërinstitucional. Në kuadër të Planit të Veprimit për periudhën vijuese, mbështetja do të përfshijë përmirësimin e sistemeve analitike dhe të menaxhimit të rrezikut, si dhe trajnime të specializuara për forcimin e kapaciteteve profesionale.

AIF është pjesë e mekanizmit koordinues të kësaj nisme, duke kontribuar në koordinimin ndërinstitucional dhe në mbështetjen e përpjekjeve të përbashkëta për luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

AIF shpreh mirënjohjen për Bashkimin Evropian (BE), Ministrinë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), si dhe partnerët zbatues të projektit, GIZ, CIVIPOL dhe Ministrinë e Brendshme të Italisë, për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm.