Agjencia e Inteligjencës Financiare

Agjencia e Inteligjencës Financiare merr pjesë në trajnimin për luftën kundër pastrimit të parave përmes tregtisë Trade-Based Money Laundering (TBML)

Agjencia e Inteligjencës Financiare mori pjesë në trajnimin mbi pastrimin e parave përmes tregtisë (Trade-Based Money Laundering – TBML), organizuar nga Këshilli i Evropës në Tiranë.
Trajnimi mblodhi përfaqësues nga Policia e Shtetit, Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme, Doganat, Administrata Tatimore dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare, me qëllim rritjen e kapaciteteve institucionale dhe të koordinimit ndërinstitucional, hetimin dhe ndjekjen e rasteve të pastrimit të parave përmes tregtisë.
Gjatë sesioneve u trajtuan tipologjitë dhe teknikat e TBML, përdorimi i inteligjencës financiare, metodologjitë e vlerësimit të rrezikut, praktikat hetimore, aspektet ligjore dhe procedurale të ndjekjes penale, si dhe identifikimi, administrimi dhe konfiskimi i pasurive me origjinë kriminale.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, si element kyç në luftën kundër krimit financiar.
Kjo veprimtari kontribuon në forcimin e kapaciteteve të autoriteteve shqiptare për të adresuar pastrimin e parave, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri”, bashkëfinancuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Këshilli i Evropës, dhe i zbatuar nga Këshilli i Evropës.