Agjencia e Inteligjencës Financiare

Agjencia e Inteligjencës Financiare merr pjesë në aktivitetin “Shqipëria dhe Këshilli i Evropës: Një udhëtim drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”

Agjencia e Inteligjencës Financiare mori pjesë në aktivitetin e organizuar në Strasburg me rastin e 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës.
Aktiviteti “Shqipëria dhe Këshilli i Evropës: Një udhëtim drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian” solli në vëmendje arritjet e 3 dekadave të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe KiE, si dhe kontributin e këtij partneriteti në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe reformave institucionale.
Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen e Drejtorit të Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës, Gianluca Esposito, ambasadorëve dhe përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare, si dhe ekspertëve të nivelit të lartë ndërkombëtar.
Fjalët hapëse u mbajtën nga Dastid Koreshi, Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë pranë KiE, Claus Neukirch, Drejtor i Koordinimit të Programeve, dhe Vesna Kos, Ambasadore dhe Përfaqësuese e Përhershme e BE pranë KiE.
Përfaqësues të institucioneve shqiptare, të KiE dhe të BE-së diskutuan mbi rezultatet e këtij bashkëpunimi dhe rolin e tij në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Gjatë aktivitetit, Z. Esposito theksoi bashkëpunimin e e shkëlqyer të Këshillit të Evropës me Shqipërinë dhe, në veçanti, me Agjencinë e Inteligjencës Financiare.
Në këtë aktivitet, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Këshillit të Evropës në forcimin e kapaciteteve institucionale, profesionale dhe mbikëqyrëse të sistemit parandalues, në përafrimin me standardet ndërkombëtare dhe në zhvillimin e mekanizmave efektivë në luftën kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të përhapjes së armëve të dëmtimit në masë.
Agjencia e Inteligjencës Financiare shpreh mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe partneritetin e frytshëm me KiE, duke vlerësuar kontributin e tij në zhvillimin institucional dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.