Agjencia e Inteligjencës Financiare mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “FIUture-Proof 2026”, të organizuar nga FIU Holanda në Hagë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të njësive të inteligjencës financiare, agjencive të zbatimit të ligjit, autoriteteve mbikëqyrëse, institucioneve politikbërëse dhe sektorit privat.
Nën temën qendrore “Sa efektivë jemi realisht?”, konferenca u fokusua në forcimin e inteligjencës financiare të bazuar në qasje sistemore, përballë sfidave të krijuara nga zhvillimet teknologjike, ndryshimet gjeopolitike dhe format gjithnjë e më komplekse të krimit financiar. Gjatë aktivitetit u diskutua mbi mënyrat e shndërrimit të informacionit financiar në inteligjencë të zbatueshme, si dhe mbi përshtatjen e proceseve, teknologjisë dhe kapaciteteve njerëzore për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive kërcënimeve aktuale dhe atyre në zhvillim.
Gjithashtu, u theksua se dialogu i hapur, ekspertiza e përbashkët dhe angazhimi i fortë i të gjithë aktorëve nënvizojnë rëndësinë e vazhdimit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet partnerëve publikë dhe privatë, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.
Konferenca shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira, duke kontribuar në forcimin e përpjekjeve të përbashkëta për parandalimin dhe luftën kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.

