Agjencia e Inteligjencës Financiare

Trajnim tre-ditor mbi Vlerësimin e Rrezikut, Inteligjencën Financiare dhe Hetimet për Financimin e Terrorizmit

Në kuadër të planit të integruar të trajnimeve, gjatë datave 3, 5–6 mars 2026 u zhvillua një trajnim tre-ditor me temat:

  • Vlerësimi i rrezikut, koordinimi dhe përcaktimi i politikave
  • Inteligjenca financiare
  • Hetimet dhe ndjekjet penale për financimin e terrorizmit

Gjatë trajnimit ku u përfshinë dhe 8 institucione publike si  SPAK – Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Prokuroria e Përgjithshme – Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, DPPSh – Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, DPT – Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, SHISH – Shërbimi Informativ i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit, DPD – Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe AIF – Agjencia e Inteligjencës Financiare. Këto institucione u trajtuan mbi çështje që lidhen me identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, forcimin e koordinimit institucional dhe hartimin e politikave në mënyrë bashkëpunuese për të luftuar këto fenomene në nivel kombëtar. Gjithashtu u theksua rëndësia e përdorimit të inteligjencës financiare dhe informacionit të rëndësishëm nga autoritetet kompetente për hetimet për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, si dhe roli i hetimeve dhe ndjekjeve penale në garantimin e sanksioneve efektive, proporcionale dhe dekurajuese ndaj personave të përfshirë në financimin e terrorizmit.

Trajnimi u realizua me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë z. Shaun McLeary dhe z. Arakel Meliksetyan, të cilët kontribuan me ekspertizën dhe përvojën e tyre profesionale në zhvillimin e sesioneve trajnuese. I falënderojmë për kontributin dhe mbështetjen e tyre në realizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm.

Shprehim gjithashtu mirënjohjen tonë të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme të ofruar nga Këshilli i Europës, si dhe nga projekti i Sekretariatit Shtetëror për Çështjet Ekonomike të Zvicrës (SECO), nëpërmjet Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, të cilët bënë të mundur organizimin dhe zhvillimin me sukses të këtij aktiviteti.