Më datë 12 nëntor 2025 u zhvillua mbledhja e rradhës e Grupit Teknik Ndërinstitucional të Punës (GTNP), me pjesëmarrjen e veçantë të Z. Philipp Arnold, Zv. Ambasador i Zvicrës në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, Z. Arnold prezantoi aktivitetet e Projektit te ri te mbështetur nga Qeveria Zvicerane (përmes Sekretariatit për Çështjet Ekonomike, SECO) dhe Këshilli i Evropës, i cili do të zbatohet në Shqipëri, si dhe mënyrat se si institucionet shqiptare do të përfitojnë nga ky projekt.
Në mbledhje morën pjesë anëtarët e përhershëm të GTNP, si dhe përfaqësues nga institucionet publike dhe sektori privat. Nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, u raportua monitorimi për periudhën 4-mujore Maj – Gusht 2025 mbi:
- Zbatimin e planit të veprimit të Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe planit të veprimit të Vlerësimit Kombëtar të Riskut (NRA);
- Prezantimin e Planit të Integruar të Trajnimeve dhe zbatimin e ‘Strategjisë së edukimit të publikut mbi rrezikun që mbart pastrimi i parave, financimi i terrorizmit dhe armët e shkatërrimit në masë në shoqërinë tonë’.
Gjatë takimit, të gjitha institucionet pjesëmarrëse diskutuan mbi ecurinë e plotësimit të Pyetësorit të Efektivitetit dhe raportuan progresin e tyre deri më tani.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare theksoi rëndësinë madhore të raundit të 6-të të vlerësimit nga MONEYVAL, duke pasur vëmendje maksimale në plotësimin e saktë dhe cilësor të pyetësorëve, si dhe respektimin e afateve për plotësimin e tyre.
Z. Koçi gjithashtu siguroi se AIF do të vijojë të vazhdojë të ofrojë asistencë për të gjitha institucionet raportuese gjatë procesit të plotësimit të pyetësorëve, për të pasur një rezultat të matshëm dhe të suksesshëm.

