Agjencia e Inteligjencës Financiare

Prezantimi i projektit “Lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri”

Agjencia e Inteligjencës Financiare mori pjesë në konferencën e datës 30 janar mbi prezantimin e dy projekteve me rëndësi strategjike, të zbatuara nga Këshilli i Evropës me mbështetjen e Qeverisë Zvicerane, përmes SECO, të cilat synojnë forcimin e kuadrit institucional dhe kapaciteteve operacionale të Shqipërisë në fushën e parandalimit dhe luftës kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit.

Konferenca u zhvillua me pjesëmarrjen e veçantë të z. Gianluca Esposito, Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës, i cili në fjalën e tij hapëse theksoi se dy projektet mbështesin përpjekjet reformuese të Shqipërisë duke forcuar zbatimin efektiv të kuadrit të integritetit dhe kundër pastrimit të parave, duke ritheksuar se përparimi i qëndrueshëm varet nga institucionet që japin rezultate konkrete në praktikë, në përputhje me standardet evropiane dhe aspiratat evropiane të Shqipërisë.

Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Financiare theksoi se këto projekte përfaqësojnë një mundësi konkrete për të forcuar rolin e institucioneve shqiptare, për të rritur kapacitetet analitike, teknike dhe njerëzore, si dhe për të përmirësuar zbatimin praktik dhe efektiv të masave parandaluese në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Një fokus i veçantë iu kushtua projektit “Lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri”, i financuar nga Qeveria Zvicerane nëpërmjet SECO, i cili do të kontribuojë drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve të AIF, agjencive ligjzbatuese, autoriteteve mbikëqyrëse dhe sektorit privat, duke mbështetur një qasje të bazuar në risk dhe bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional.

Në fjalën e tij, Drejtori i AIF shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Qeverisë Zvicerane, Ambasadës Zvicerane, në veçanti Shkëlqesisë së Saj, Ambasadores Znj. Ruth Huber, si dhe Sekretariatit Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO), për miratimin e menjëhershëm të këtij projekti gjithëpërfshirës, pas kërkesës së paraqitur nga Agjencia e Inteligjencës Financiare. Ky projekt, me një shtrirje kohore të konsiderueshme deri në vitin 2029, zbatohet në kuadër të partneritetit strategjik me Këshillin e Evropës, duke vlerësuar profesionalizmin dhe angazhimin e të gjitha ekipeve të përfshira.

Agjencia e Inteligjencës Financiare riafirmoi angazhimin e saj të plotë, së bashku me Grupin Teknik Ndërinstitucional të Punës, i përbërë nga institucione publike dhe përfaqësues të sektorit privat, për të kontribuar në mënyrë aktive dhe konstruktive në zbatimin efektiv të këtyre projekteve.

Ky bashkëpunim përforcon më tej përpjekjet e Shqipërisë për përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian dhe rekomandimet e MONEYVAL dhe FATF, duke synuar rezultate konkrete dhe të qëndrueshme në forcimin e sundimit të ligjit, integritetit institucional dhe sigurisë financiare.