Në datat 9–11 mars, AIF mori pjesë në trajnimin e organizuar nga UNODC me temë “Teknikat e hetimit të pastrimit të parave, tipologjitë e tij dhe zhvillimi i treguesve të krimit financiar për përditësimin e vlerësimeve kombëtare të rrezikut”. Ky trajnim u zhvillua me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, përmes Zyrës për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Ambasada Amerikane në Shqipëri.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, SPAK, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe KLGJ, duke reflektuar një qasje të koordinuar ndërinstitucionale në luftën kundër financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave.
Takimi u përshëndet nga Përfaqësuesi Rajonal i UNODC, Z. Danilo Rizzi, dhe Drejtori i Përgjithshëm i AIF, Z. Ervin Koçi, të cilët theksuan rëndësinë e forcimit të kapaciteteve hetimore, analizës së tipologjive dhe përdorimit të mjeteve financiare për identifikimin e aktiviteteve të dyshimta.
Në kuadër të trajnimit u trajtuan tema që lidhen me:
- Parimet bazë të hetimit të pastrimit të parave (ML) dhe kuadri i tyre në kontekstin e Shqipërisë.
- Burimet e të dhënave hetimore dhe zhvillimi i provave, duke përfshirë përdorimin e informacionit financiar dhe institucional.
- Analiza e tipologjive të pastrimit të parave dhe lidhja e tyre me tregues konkretë të rrezikut dhe të dyshimit.
- Tipologjitë e pastrimit të parave të rëndësishme për Shqipërinë dhe përdorimi i teknikave të avancuara të hetimit dhe mbikëqyrjes.
- Përdorimi i mjeteve të analizës financiare për identifikimin e transaksioneve dhe aktiviteteve të dyshimta.
- Përdorimi strategjik i rezultateve të ndjekjes penale për të përditësuar dhe përmirësuar Vlerësimin Kombëtar të Rrezikut.
Forcimi i teknikave të hetimit, analiza e tipologjive të pastrimit të parave dhe zhvillimi i treguesve të krimit financiar janë elementë thelbësorë për të përditësuar dhe përmirësuar Vlerësimin Kombëtar të Rrezikut dhe për të rritur efektivitetin e luftës kundër krimit financiar.

