Në kuadër të konferencës mbi prezantimin e dy projekteve të rëndësishme, të zbatuara nga Këshilli i Evropës, u zhvillua një sesion tematik i dedikuar çështjeve të parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe armëve të dëmtimit në masë (PPP/FT/ADM), me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e zhvillimeve më të fundit në këtë fushë.
Projekti “Lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri” synon të mbështesë autoritetet shqiptare në forcimin e parandalimit dhe luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, përmes një qasjeje të bazuar në risk, duke përmirësuar inteligjencën financiare, mbikëqyrjen dhe kapacitetet e agjencive të zbatimit të ligjit, si dhe duke ofruar mbështetje për subjektet e sektorit privat. Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) do të jetë një nga institucionet kryesore të përfshira në zbatimin e këtij projekti.
Në këtë kuadër, një nga sesionet e konferencës iu kushtua parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe armëve të dëmtimit në masë (PPP/FT/ADM), me pjesëmarrjen e ekspertëve të Këshillit të Evropës dhe Agjencisë së Inteligjencës Financiare, përkatësisht z. Evgeni Evgeniev, Kryetar Divizioni pranë Këshillit të Evropës, z. Giuseppe Lombardo dhe znj. Elisabeth Florkowski, ekspertë të Këshillit të Evropës, si dhe z. Agim Muslia, ekspert i Agjencisë së Inteligjencës Financiare.
Gjatë këtij sesioni, ekspertët shkëmbyen përvoja dhe praktika të mira mbi zhvillimet e standardeve ndërkombëtare në fushën e PPP/FT dhe ndikimin e tyre në kornizat kombëtare, si dhe mbi qasjen e mbikëqyrjes së bazuar në risk për bizneset dhe profesionet jo-financiare, duke u ndalur në pritshmëritë dhe praktikat më të avancuara në këtë drejtim.
Në këtë kuadër, përfaqësuesi i Agjencisë së Inteligjencës Financiare paraqiti sfidat kryesore praktike dhe mundësitë për përmirësim në mbikëqyrjen e profesioneve të lira, duke theksuar rëndësinë e rritjes së kapaciteteve institucionale, përmirësimit të cilësisë së të dhënave, harmonizimit të masave parandaluese me rreziqet e identifikuara dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, në funksion të një qasjeje efektive të bazuar në risk.

