Në kuadër të rritjes së kapaciteteve profesionale dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër financimit të terrorizmit dhe krimit të organizuar, përfaqësues të AIF morën pjesë në trajnimin e organizuar nga UNODC.
Trajnimi u realizua falë kontributit dhe mbështetjes së Ambasadës së SHBA në Tiranë, përmes Zyrës për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), me temë: “Prirjet e reja të financimit të terrorizmit, përfshirë kriptoasetet, lidhjet me krimin e organizuar transnacional dhe abuzimin e OJQ-ve”, zhvilluar në datat 02 – 04 mars.
Ky aktivitet u zhvillua gjithashtu si pjesë e Planit të Integruar të Trajnimeve, duke synuar forcimin e mëtejshëm të njohurive dhe kapaciteteve institucionale në adresimin e sfidave që lidhen me FT.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga SPAK, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Antiterrorit, si dhe Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke reflektuar rëndësinë e një qasjeje të koordinuar ndërinstitucionale.
Gjatë trajnimit u trajtuan çështje që lidhen me:
• Financimin e terrorizmit në nivel global, rajonal dhe kombëtar;
• Përdorimin e kriptomonedhave për mbledhjen dhe transferimin e fondeve;
• Rreziqet dhe abuzimin e mundshëm në sektorin e OJQ-ve/OJF-ve;
• Tipologjitë dhe treguesit e riskut për Vlerësimin Kombëtar të Riskut të Shqipërisë;
• Forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
Ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e njohurive për përballimin e sfidave gjithnjë në zhvillim që lidhen me financimin e terrorizmit.


