Më 25 qershor 2026, Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) zhvilloi një takim konsultativ me përfaqësues të Shoqatës së Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme (NAREA), në kuadër të procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Takimi kishte për qëllim forcimin e dialogut institucional dhe thellimin e bashkëpunimit me NAREA, si një nga aktorët kryesorë të sektorit privat, me rol të rëndësishëm në zbatimin e kërkesave ligjore dhe standardeve kombëtare e evropiane në fushën e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e AIF prezantuan dispozitat kryesore të projektligjit të ri “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i cili është hartuar në kuadër të Kapitullit 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit”, seksioni 4.3 “Lufta kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.
Në fokus të prezantimit ishin ndryshimet dhe risitë që sjell projektligji, i cili synon të forcojë përputhshmërinë e kuadrit ligjor shqiptar me paketën e gjashtë të Bashkimit Evropian në fushën e luftës kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe përhapjes së armëve të dëmtimit në masë.
Pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi aspektet praktike të zbatimit të kërkesave të reja ligjore, sfidat që mund të hasen nga subjektet raportuese, si dhe nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit të pasurive të paluajtshme për forcimin e mekanizmave kombëtarë të parandalimit dhe luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në përfundim të takimit, Agjencia e Inteligjencës Financiare vlerësoi kontributin dhe angazhimin e NAREA në këtë proces dhe riafirmoi gatishmërinë për të vijuar konsultimet me grupet e interesit, me synimin e hartimit dhe zbatimit të një kuadri ligjor efektiv, të qëndrueshëm dhe plotësisht në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.

