Agjencia e Inteligjencës Financiare zhvilloi një takim konsultues me përfaqësues të Shoqatës së Mikrofinancës Shqiptare dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në sektorin e mikrokredisë mbi projektligjin e ri “Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit”.
Gjatë takimit u prezantuan objektivat dhe risitë kryesore të projektligjit, i cili synon përafrimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor shqiptar me standardet e Bashkimit Europian në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Diskutimet u fokusuan në ndryshimet e propozuara që lidhen me qasjen e bazuar në rrezik, forcimin e proceseve të njohjes së klientit, identifikimin e pronarit përfitues, raportimin e aktiviteteve të dyshimta, si dhe përgjegjësitë e strukturave drejtuese në zbatimin e kërkesave për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (PP/FT).
Përfaqësuesit e sektorit të mikrokredisë ndanë mendimet dhe komentet e tyre mbi dispozita të ndryshme të projektligjit, duke sjellë në vëmendje çështje që lidhen me zbatimin praktik të kërkesave ligjore.
Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv, duke nënvizuar rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet autoriteteve kompetente dhe sektorit privat në funksion të forcimit të sistemit kombëtar për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Agjencia e Inteligjencës Financiare do të vijojë procesin e konsultimeve me kategoritë e ndryshme të subjekteve të detyruara dhe palët e interesuara, me synimin për të ndërtuar një kuadër ligjor efektiv, proporcional dhe në përputhje me standardet europiane.

