Agjencia e Inteligjencës Financiare

Takim konsultativ me përfaqësues të Shoqatës Shqiptare të Këmbimit Valutor mbi projektligjin PPP/FT

Agjencia e Inteligjencës Financiare zhvilloi një takim konsultativ me përfaqësues të Shoqatës Shqiptare të Këmbimit Valutor (AFEA), në kuadër të procesit të harmonizimit të kuadrit ligjor shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Takimi u fokusua në forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit me sektorin e zyrave të këmbimit valutor, si një partner i rëndësishëm në zbatimin efektiv të standardeve kombëtare dhe evropiane në këtë fushë.

Gjatë takimit u prezantuan dhe u shqyrtuan dispozitat e projektligjit të ri “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i hartuar në kuadër të Kapitullit 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit”, seksioni 4.3 “Lufta kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

Projektligji synon forcimin e përputhshmërisë së legjislacionit shqiptar me paketën e 6të të Bashkimit Evropian kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe përhapjes se armëve te dëmtimit në mase.

Diskutimet u fokusuan në sfidat praktike të zbatimit të kërkesave ligjore, si dhe në rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve publike dhe sektorit të këmbimit valutor për forcimin e sistemit kombëtar të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Agjencia e Inteligjencës Financiare vlerësoi kontributin e sektorit privat dhe riafirmoi angazhimin e saj për vijimin e konsultimeve me grupet e interesit, me synim ndërtimin e një kuadri ligjor efektiv dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.