Agjencia e Inteligjencës Financiare

Pjesëmarrja e delegacionit shqiptar në konferencën ndërkombëtare “No Money For Terror”

Në kuadër të konferencës ndërkombëtare “No Money For Terror”, organizuar nën presidencën franceze të G7 dhe me iniciativën e Tracfin, u zhvilluan takime ministrore dhe takime ndërmjet njësive të inteligjencës financiare, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve financiare dhe organizatave ndërkombëtare. Diskutimet u fokusuan në sfidat e financimit të terrorizmit dhe nevojën për forcimin e koordinimit global, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe partneritetit publik-privat.

Konferenca u përshëndet nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Ministri i Ekonomisë dhe Financave Roland Lescure, të cilët theksuan rëndësinë e koordinimit ndërkombëtar në luftën kundër financimit të terrorizmit.

Delegacioni shqiptar u kryesua nga Ministri i Financave i Republikës së Shqipërisë, z. Petrit Malaj, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, z. Ervin Koçi. Gjatë aktivitetit u diskutua mbi forcimin e shkëmbimit të informacionit financiar, adresimin e rreziqeve që lidhen me teknologjitë e reja financiare dhe asetet virtuale, si dhe parandalimin e keqpërdorimit të pagesave elektronike për financimin e terrorizmit.

Në përfundim të konferencës, pjesëmarrësit riafirmuan angazhimin për forcimin e luftës kundër financimit të terrorizmit në përputhje me standardet dhe rekomandimet ndërkombëtare të FATF.